Lidhje

SHBA: Aktorët e huaj dezinformojnë për zgjedhjet, COVID-19n


Lea Gabrielle
Lea Gabrielle

Zyrtarët amerikanë të cilët analizojnë dhe luftojnë kundër dezinformimit që synon minimin e demokracive, thonë se aktorët e huaj tani janë duke u përqëndruar në dy tema: përhapjen e gënjeshtrave në lidhje me vaksinat për koronavirusin dhe zgjedhjet në SHBA.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, e dërguara dhe koordinatorja e posaçme e Departamentit të Shtetit për Qendrën e Angazhimit Global, Lea Gabrielle, tha se shëndeti i Presidentit Donald Trump është gjithashtu një temë aktive e diskutimit në internet tek audiencat jashtë vendit.

"Kur shohim ato që thuhen, vërejmë se lajmet për infektimin e presidentit me COVID janë ndër më të debatuarat në hapësirën e informacionit në internet," i tha zonja Gabrielle korrespondentes së Zërit të Amerikës pranë Departamentit të Shtetit, Nike Ching gjatë një interviste me Skype.

Pas shumë vitesh, gjatë të cilave inteligjenca amerikane u përqëndrua tek taktikat dezinformuese të stilit rus, zyrtarët amerikanë thonë se gjatë pandemisë COVID-19, Partia Komuniste Kineze ka mësuar nga përvoja e Kremlinit, madje duke e përdorur atë për t’i dhënë formë diskursit brenda internetit të Kinës, që kontrollohet rreptë nga qeveria.

Ditët e fundit, kur Presidenti Trump njoftoi se ai dhe Zonja e Parë ishin testuar pozitivë për koronavirusin, në mediat sociale të kontrolluara nga rrjetet propagandistike të Partisë Komuniste Kineze u shfaqën postime, ku shprehej kënaqësi për atë që kishte ndodhur. Kur përdoruesit në internet filluan të përfshihen në diskutime më serioze rreth sëmundjes së presidentit dhe pasojave të saj, censorët kinezë i mbyllën ato.

Më poshtë janë disa pjesë nga intervista e Zërit të Amerikës me zonjën Gabrielle. Intervista është redaktuar për t’i paraqitur mendimet e saj sa më shkurt dhe qartë.

Ching: Nga ajo që kemi parë - disa postime online ku shprehej kënaqësi që Presidenti Trump dhe zyrtarë të lartë amerikanë dolën pozitivë për koronavirusin - a ka shenja se kundërshtarët e huaj të SHBA po propagandojnë skenarë të caktuar, duke përfituar nga ky moment, për të mbjellë mosmarrëveshje në Shtetet e Bashkuara dhe për të minuar besimin e amerikanëve në sistemin e tyre politik?

Gabrielle: Kur shohim ato që thuhen, vërejmë se lajmet për infektimin e presidentit me COVID janë ndër më të debatuarat në hapësirën e informacionit në internet. Kemi parë se brenda hapësirës së mediave sociale të Kinës ka pasur një larmi interpretimesh.

Por mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme të pohojmë se Partia Komuniste Kineze i kontrollon nga shumë afër këto interpretime, se Partia Komuniste Kineze censuron interpretimet brenda peizazhit kinez të informacionit dhe në mediat sociale të vendit. Pra, është shumë e vështirë të thuash se çfarë ndodh në të vërtetë në mendjet e popullit kinez.

Prandaj, sinqerisht mendoj se do të ishte e dobishme që njerëzit në Kinë të jenë në gjendje të angazhohen në një diskutim të hapur, sesa të bllokohen brenda atij muri të madh izolimi të Kinës.

Ching: Si po i ndryshojnë ose përshtasin kundërshtarët e SHBA fushatat e tyre të dezinformimit dhe operacionet e ndikimit tani që po i afrohemi zgjedhjeve të 3 nëntorit?

Gabrielle: Misioni ynë (Qendra e Angazhimit Global) është të sinkronizojmë dhe koordinojmë drejtpërdrejt përpjekjet e qeverisë federale amerikane për të hedhur poshtë dezinformimin dhe propagandën e huaj që synon minimin e sigurisë ose stabilitetit të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve tanë.

Prandaj ne përqendrohemi në atë dezinformim të huaj që synon audiencat e huaja.

Kundërshtarë dhe aktorë keqdashës, konkurrentë që përdorin dezinformimin ose shfrytëzojnë hapësirën e informimit si armë, venë në shënjestër zgjedhjet. Vlerat demokratike, parimet demokratike dhe zgjedhjet demokratike shkojnë krah për krah me përpjekjet e aktorëve keqdashës që përpiqen të përdorin dezinformimin dhe propagandën për të minuar këto procese.

Qendra e Angazhimit Global ka vëzhguar shumë interpretime të ndryshme dezinformuese gjatë disa muajve të fundit. Sigurisht, rreth COVID-19s kemi parë shumë dezinformime që nxiten nga Rusia, Kina dhe Irani.

Ajo që shohim së fundmi është një prirje për interpretime dezinformuese rreth prodhimit të vaksinave.

Nga Partia Komuniste Kineze, kemi parë hapa për të riformatuar interpretimin që përiqet ta bëjë Partinë Komuniste Kineze të duket si udhëheqësja globale në përgjigjen ndaj COVID-19s, në vend që të shihet si përgjegjëse për përhapjen e virusit.

Shohim gjithashtu Rusinë që vazhdon të përdorë interpretime dezinformuese në përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Kemi parë edhe shumë interpretime dezinformuese të Rusisë rreth COVID-19s, si dhe rreth prodhimit të vaksinave.

Kemi parë interpretime dezinformuese ruse që përqendrohen tek trazirat në Bjellorusi dhe tema të tjera globale.

Ching: Ku tjetër përqendrohen interpretimet që lidhen me zgjedhjet në SHBA?

Gabrielle: Gjatë krizës së COVID-it kemi parë që Partia Komuniste Kineze ka shkuar tepër larg, duke miratuar taktika dezinformuese të stilit rus. Pra, taktikat po përshtaten dhe ndryshojnë me ndryshimin e mjedisit të mediave sociale. Por ne jemi duke punuar shumë ngushtë me partnerët tanë në agjencitë e tjera amerikane si dhe globalisht, që ata të jenë në dijeni me çka ndodh në hapësirën e dezinformimit dhe propagandës.

Ching: Çfarë ju shqetëson më shumë këto ditë?

Gabrielle: Ju falenderoj shumë që pyesni. Jam shumë e shqetësuar për mënyrën se si ky mjedis i mrekullueshëm i mediave sociale dhe kjo mënyrë që lidh njerëzit në të gjithë botën po manipulohet nga aktorë keqdashës.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim ndërgjegjësimin e njerëzve, t’i bëjmë ata më të përgatitur, duke i ndihmuar për të kuptuar më mirë sesi manipulohet hapësira e informacionit. Meqenëse teknologjia po ndryshon, aktorët keqdashës, që duan të manipulojnë njerëzit dhe të realizojnë synimet e tyre, do ta vazhdojnë punën e tyre.

Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga dezinformimi, është të kesh një audiencë të arsimuar, të informuar dhe rezistente. Prandaj mendoj se duhet të përqendrohemi tek puna që njerëzit të kuptojnë se si manipulohet hapësira e informimit. Të gjithë kemi përgjegjësinë për t’u menduar para se të ndajmë informacionin dhe për të kontrolluar burimin, për t'u siguruar që ai është i vërtetë para se ta përhapim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG