Lidhje

SHBA, Dështojnë bisedimet; pa asistencë të re për të papunët nga koronavirusi


Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer duke informuar gazetarët në godinën e Kongresit (7 gusht 2020)
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer duke informuar gazetarët në godinën e Kongresit (7 gusht 2020)

UASHINGTON - Një përpjekje e fundit nga demokratët për të ringjallur bisedimet në Kongres për fondet jetike të asistencës financiare nga COVID-19, përfundoi me zhgënjim të premten. Është bërë tashmë gjithnjë e më e mundshme që ngërçi i Uashingtonit do të nënkuptojë më shumë vështirësi për miliona njerëz që humbasin asistencën e zgjeruar për papunësinë dhe dëme të mëtejshme për një ekonomi të goditur nga pandemia e koronavirusit ende në zhvillim.

"Ishte një takim zhgënjyes", deklaroi udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, duke thënë se Shtëpia e Bardhë kishte refuzuar një ofertë të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për të ulur kërkesat e demokratëve me rreth 1 trilion dollarë. Ai i kërkoi Shtëpisë së Bardhë të "negociojë me demokratët dhe të zhvendosen drejt një pike të mesme. Mos thoni ose siç duam ne, ose hiç".

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se "për fat të keq nuk kemi bërë progres sot".

Me prishjen e bisedimeve, ai tha se Presidenti Donald Trump tani ka të ngjarë të lëshojë urdhëra ekzekutivë për dëbimet nga shtëpitë.

Mark Meadows (djathtas), shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, dhe Steven Mnuchin, (majtas), Sekretari i Thesarit (7 gusht 2020)
Mark Meadows (djathtas), shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, dhe Steven Mnuchin, (majtas), Sekretari i Thesarit (7 gusht 2020)

Shefi i personelit i Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, tha se, "kjo nuk është një përgjigje e përsosur - ne do të jemi të parët që ta themi këtë - por kjo është gjithçka që mund të bëjmë dhe gjithçka që presidenti mund të bëjë brenda kufijve të pushtetit të tij ekzekutiv".

Seanca e së premtes pasoi një takim të ndezur të enjten që, për herë të parë hodhi dyshime të vërteta në aftësinë e administratës Trump dhe demokratëve në Kongres për t'u bashkuar rreth një projekt-ligji të pestë në përgjigjeje të pandemisë COVID-19. Zonja Pelosi thërriti zotin Mnuchin dhe zotin Meadows me shpresën për t'i dhënë frymë negociatave, të cilat janë karakterizuar nga irritimi dhe refuzimi nga të dyja palët.

Një dështim në bisedime do të rrezikonte më shumë se 100 miliardë dollarë për të ndihmuar në rihapjen e shkollave, një raund të ri prej 1,200 dollarësh pagesa direkte për shumicën e amerikanëve, si dhe qindra miliarda dollarë për qeveritë shtetërore dhe lokale për t'i ndihmuar ata të shmangin shkurtimet në personel dhe shërbime, ndërsa tkurren të ardhurat nga taksat.

Në një konferencë shtypi të premten zonja Pelosi tha se ajo ofroi një lëshim të madh për republikanët.

"Ne do të zbresim me 1 trilion dollarë, ju do të ngjiteni me 1 trilion dollarë", tha zonja Pelosi. Shifrat janë të përafërta, por një zëdhënës i zonjës Pelosi tha se ajo po kërkon në terma të përgjithshëm një "linjë maksimale", prej ndoshta 2.4 trilion dollarësh, pasi Ligji HEROES i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve është vlerësuar në një kosto prej 3.45 trilion dollarësh. Republikanët thonë se oferta e tyre fillestare ishte rreth 1 trilion dollarë, por se kanë ofruar, ndër të tjera, disa lëshime mbi asistencën dhe ndihmën për shtetet, që e kanë rritur koston e ofertës së Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Mnuchin tha se rinovimi i asistencës së papunësinë prej 600 dollarësh në javë dhe kërkesat shumë të mëdha të demokratëve për ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale janë fushat kryesore ku ata kanë ngecur.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin

"Ka shumë fusha për kompromis", tha ai pas takimit të së premtes. "Unë mendoj se nëse mund të arrijmë një marrëveshje mbi (asistencën për) shtetet dhe (qeverisjen) lokale, si dhe papunësinë, do të arrijmë një marrëveshje të përgjithshme. Dhe nëse nuk mundemi, nuk mundemi".

Zonja Pelosi i deklaroi bisedimet të vdekura, nëse zoti Meadows dhe zoti Mnuchin nuk lëshojnë terren.

"Unë u kam thënë: 'kthehuni kur të jeni gati të na jepni një numër më të lartë'," tha ajo.

Demokratët kanë ofruar që të zvogëlojnë kërkesën e saj prej pothuajse 1 trilion dollarësh për qeveritë shtetërore dhe lokale. Por, disa nga kursimet e propozuara nga zonja Pelosi do të mblidheshin kryesisht sepse ajo do të shkurtonte afatin kohor për përfitimet, si p.sh. për tollonat për ushqime.

Zonja Pelosi dhe zoti Schumer vazhdojnë të këmbëngulin për një paketë të madhe ndihme për të trajtuar një rritje të rasteve të reja të infeksionit dhe të vdekjeve, papunësinë dyshifrore dhe rrezikun e varfërisë për miliona të sapombetur të papunë.

Të premten, ata treguan raportin e ri të vendeve të punës në korrik, në përpjekje për të forcuar propozimet e tyre. Raporti tregoi se Shtetet e Bashkuara shtuan 1.8 milion vende pune muajin e kaluar, një rritje shumë më e ulët sesa në maj dhe qershor.

"Është e qartë që ekonomia po humbet ritmin", tha zoti Schumer. "Kjo do të thotë se kemi nevojë për investime të mëdha dhe të guximshme në Amerikë për të ndihmuar njerëzit e zakonshëm".

Republikanët në Senat janë të ndarë; afërsisht gjysma e tyre kundërshtojnë krejtësisht një projekt-ligj tjetër shpëtimi financiar. Katër projektligje të mëparshme të përgjigjes ndaj koronavirusit, të cilat arrijnë në pothuajse 3 trilionë dollarë, kanë kaluar me vota dypartiake megjithë mosmarrëveshjet e mëdha. Por, konservatorët u tërhoqën kur u ngrit ideja e një marrëveshjeje tjetër të ndërmjetësuar nga zonja Pelosi, me një kosto të lartë për defiçitin buxhetor.

Zoti McConnell e ka dërguar Senatin në shtëpi në vend që t'i detyrojë senatorët e paduruar të japin kohën e tyre ndërsa demokratët luajnë fort. Kjo sugjeron se nuk ka gjasa për votim deri në fund të javës tjetër dhe ndoshta as më tej.

Zonja Pelosi dhe zoti Schumer mbajtën qëndrim të vendosur për të zgjatur asistencën e skaduar të papunësisë prej 600 dollarësh në javë; kërkuan asistencë të mjaftueshme për kujdesin e fëmijëve dhe përsëritën këmbënguljen e tyre për tollona ushqimi dhe asistencë për qiramarrësit dhe pronarët e shtëpive që përballen me dëbimin ose konfiskimin.

"Ky virus është si një tren mallrash që vjen me shumë shpejtësi dhe ata po përgjigjen si një autokolonë tepër e ngadaltë. Thjesht nuk funksionon", tha zonja Pelosi të premten.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG