Lidhje

SHBA, demokratët dhe republikanët thellësisht të ndarë për çështjen e shkarkimit të presidentit


Demokrati Jerrold Nadler (majtas) dhe republikani Doug Collins

Udhëheqësit demokratë dhe republikanë në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve parashtruan pikëpamje thellësisht të ndryshme të hënën pro dhe kundër procesit për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Kreu demokrat i komisionit, Jerrold Nadler u shpreh në mënyrë të përsëritur se "Presidenti Trump e vuri veten mbi vendin", pasi nxiti Ukrainën të hetojë një prej sfiduesve të tij kryesorë demokratë për zgjedhjet e vitit 2020, ish nënpresidentin Joe Biden, ndërkohë që pezulloi përkohësisht 391 milion dollarë ndihmë ushtarake që i nevojitej Ukrainës për të luftuar kundër separatistëve pro-rusë në pjesën lindore të vendit.

Nadler, duke ngulur këmbë që procesi i shkarkimit të vazhdojë, tha se zoti Trump e ftoi Rusinë që ta ndihmonte për të fituar zgjedhjet e vitit 2016 dhe "e kërkoi këtë përsëri për zgjedhjet e 2020-s (nga Ukraina) por u kap."

"Ai ka shkelur përgjegjësinë e tij më themelore ndaj vendit," tha kongresmeni Nadler.

Por, republikani kryesor i Komisionit Juridik, Doug Collins, një mbështetës i vendosur i presidentit, tha se megjithë kërkesën e Presidentit Trump për hetimin e zotit Biden, "Ukraina nuk bëri asgjë dhe e mori ndihmën gjithsesi".

Collins akuzoi demokratët se ndoqën taktikën e shkarkimit të Presidentit Trump sapo fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve një vit më parë, "për të garantuar që presidenti të mos fitojë vitin e ardhshëm".

"Ku është shkelja që justifikon shkarkimin?" pyeti Collins. "Nuk është bërë ndonjë vepër kriminale."

Seanca e tanishme dëgjimore e Komisionit Juridik është një moment i rrallë në historinë 243-vjeçare të SHBA, sepse kjo shënon vetëm herën e katërt që një udhëheqës amerikan përballet me një hetim që synon shkarkimin. Dy presidentë të SHBA janë përballur me hetime për shkarkim, por anjëri prej tyre nuk është hequr nga detyra.

Ndërsa seanca dëgjimore transmetohej në televizion, Presidenti Trump sulmoi kritikët e tij të kongresit, duke shkruar në Twitter: "Demokratët, të mirë për asgjë, janë një turp!"

Komisioni Juridik dëgjoi dëshmitë e avokatëve demokratë dhe republikanë për çështjen, ndërkohë që zoti Nadler hodhi poshtë disa përpjekje të republikanëve të pakicës për të vonuar procedurat.

Avokati demokrat Daniel Goldman tha se përpjekja për ta detyruar Ukrainën të hetonte zotin Biden ishte pjesë e "një skeme disa mujore të sajuar nga presidenti" që paraqiste "një rrezik të qartë për sigurinë tonë kombëtare", sepse Ukraina, një aleate e SHBA, i trembej mundësisë së përparimit të mëtejshëm rus në tokën e saj, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Avokati republikan, Stephen Castor tha se shkarkimi i zotit Trump do të shënonte "zhbërjen e votave të 63 milion amerikanëve", të cilët votuan për të tre vjet më parë. Ai tha se argumentet e demokratëve kundër Presidentit Trump mbështeteshin në “thashetheme dhe supozime".

Castor akuzoi demokratët se nxituan të gjykojnë pa dëgjuar nga dëshmitarët kryesorë me dijeni për veprimet e PresidentitTrump. Presidenti, megjithatë, i udhëzoi zyrtarët e lartë të administratës së tij që të mos dëshmonin, edhe pse disa dolën të dëshmojnë. Ai ka bllokuar dorëzimin e dokumenteve të lidhura me Ukrainën që hetuesit kërkuan të shqyrtojnë.

Komisioni Juridik po harton listën e akuzave kundër Presidentit Trump. Por zoti Nadler tha se numri i akuzave dhe gjerësia e tyre do të vendoset vetëm pasi ligjvënësit të kenë dëgjuar përmbledhjen e provave të mbledhura nga stafi i Komisionit Juridik dhe dëshmitë e paraqitura javët e fundit nga Komisioni i Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kongresmeni Nadler tha të dielën se Komisioni Juridik mund të votojë qysh këtë javë për listën e akuzave kundër zotit Trump, duke përgatitur terrenin për një votim me shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët përpara Krishtlindjeve, kur Kongresi fillon pushimin vjetor.

Nëse ndaj zotit Trump nis procesi i shkarkimit, që siç duket ka të ngjarë të ndodhë, gjykimi i tij do të behej në Senatin me shumicë republikane në janar. Por për ta shpallur presidentin fajtor do të duheshin 67 vota nga 100 anëtarë që ka Senati, prandaj shkarkimi mbetet i pamundur.

Të paktën 20 republikanë do të duhej të dilnin kundër Presidentit Trump, por deri tani, asnjëri nga senatorët republikanë nuk ka kërkuar largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë.

HETIMET

Hetimet janë zhvilluar rreth akuzave se presidenti abuzoi me pushtetin duke i bërë presion Ukrainës të njoftonte çeljen e hetimeve për rivalin e tij politik Joe Biden, kandidatin kryesor demokrat. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, tensionet partiake në Uashington pritet të intensifikohen më tej.

Ajo që filloi si një mision faktmbledhës u përshkallëzua me njoftimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve.

“Me hidhërim, por me besim dhe përulësi, me besnikëri ndaj etërve tanë, dhe me një zemër plot dashuri për Amerikën, sot do kërkoj fillimin hartimit të akuzave për shkarkimin”, deklaroi Nancy Pelosi, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve.

Dëgjesat më të fundit janë zhvilluar në Komisionin e Ligjeve.

“Secili nga ne është betuar të mbrojë Kushtetutën dhe faktet përpara nesh janë të qarta. Presidenti Trump nuk kërkoi thjesht të përfitonte nga ndërhyrja e huaj në zgjedhjet tona, por ai e ftoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapur këtë ndërhyrje të huaj në zgjedhjet tona”, tha Jerry Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve.

Presidenti Trump i ka kritikuar ashpër këto procese dhe aleatët e tij republikanë thonë se hetimi është i motivuar politikisht.

“Kryetari citoi shumë nga themeluesit dhe se prandaj po e zhvillojmë këtë dëgjesë, pasi themeluesit ishin të shqetësuar për influencën e huaj. Por, ai nuk citoi se themeluesit ishin gjithashtu vërtet të shqetësuar për procesin politik të shkarkimit vetëm pse nuk na pëlqen personi”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar anëtarët e kabinetit qeveritar, me njohuri të drejtpërdrejtë të telefonatës gjatë së cilës Presidenti Trump i kërkonte favore Presidentit të Ukrainës, të injorojnë fletëthirrjet e Kongresit.

“Presidenti i ka ndalur me të padrejtë këta dëshmitarë. Ideja se ekziston imuniteti absolut është absurde. Kjo nuk bazohet askund në ligje apo në Kushtetutë. Është një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë kombëtare dhe është abuzim me pushtetin”, tha Ligjvënësja demokrate Zoe Lofgren.

Republikanët thonë se nëse detyrohen të dëshmojnë anëtarët e kabinetit qeveritar, kjo do të vendoste një precedent të rrezikshëm.

“Nëse në të ardhmen të gjithë do të ngurrojnë t’i japin mendim presidentit për sfidën e radhës, pasi fjalët e tyre do të merren dhe t’i lexohen Kongresit dhe publikut fjalë për fjalë, atëherë kjo mund të dëmtojë kreativitetin dhe mendimin novator që dëshirojmë të shohim tek dega ekzekutive”, tha Ligjvënësi republikan Matt Gaetz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG