Lidhje

Lista e ndërtesave të braktisura të Detroitit


Shkatërrimi urban dhe industrial si rezultat i rënies ekonomike të Detroitit ka ndryshuar pamjen e “Qytetit të Motorëve”, siç njihet ndryshe ky qytet, që është zemra e industrisë së automobilëve. Por një ekip i ri, i cili ka si qëllim ringjalljen e qytetit, ka filluar një nismë për të regjistruar çdo pronë të braktisur. Qëllimi i i projektit, që përdor teknologjinë e fundit, është t’u japë planifikuesve një pamje të plotë të ndërtesave të shkatërruara në Detroit që duhen hequr.

Për shumë njerëz që vizitojnë Detroitin, vendet e parkimit të mbushur me plehra, shtëpi të shkatërruara dhe fabrika të braktisura janë simbole të një të kaluare dikur të begatë të qytetit. Por Tia Ciara Bonner është në gjendje të shohë përtej rrënojave.

“Si detroitse, dua të ndjehem e sigurtë. Pra kam nevojë që ndërtesat e braktisura të shemben.”

Zonja Bonner po bën diçka rreth kësaj, ndërtesë pas ndërtese.

“What is the condition of the structure? We’ll write this as fair, but there is dumping on the site.”

Si pjesë e një ekipi prej tre vetësh të projektit për ndërtesat që duhen shkatërruar, zonja Bonner përdor një tabletë elektronike për të përshkruar gjendjen e çdo prone të braktisur.

“Kam parë më shumë shtëpi të shkatërruar dhe zona boshe se sa shtëpi në gjendje të mirë këtu.”

Informacioni që mbledhin kontrolluesit përfundon në kompjuterat e qendrës së projektit, ku një ekip rishqyrton informacionin.
Jerry Paffendorf është kryeshefi ekzekutiv i firmës “Loveland Technologies”, kompanisë që projektoi programin.

“Ndërsa pronat regjistrohen, të dhënat ruhen në një listë dhe i shtohen menjëherë një harte . Çdo gjë ndodh në çast.”

Zoti Paffendorf thotë se kontrolluesit janë shumë të përkushtuar.

“Gjenden rreth 360 mijë prona në qytet, dhe tani për tani, ne kemi regjistruar informacionin e gjysmës së tyre.”

“Po kontrollojmë të gjitha godinat në Detroit dhe zonat boshe.”

Glenda Price është bashkë-kryesuese e ekipit të Eliminimit të Ndërtesave të Shkatërruara. Ajo thotë se ekipi po bashkon agjenci lokale, shtetërore dhe federale për të eliminuar godinat e shkatërruara. Qëllimi është shembja, dhe jo thjesht regjistrimi i këtyre godinave.

“Një nga pengesat më të mëdha në arritjen e këtij qëllimi janë fondet, sepse do të jetë një projekt i kushtueshëm, prandaj kjo është arsyeja pse ne kuptojmë që ndoshta do të duhen tre vjet në mënyrë që të arrihet qëllimi.”

Kostoja e llogaritur për të shembur secilën nga pronat e shkatërruara në Detroit është rreth 5 deri në 10 mijë dollarë. Pasi të përfundojë puna e regjistrimit gjatë muajit shkurt, anëtarët e ekipit të Eliminimit të Ndërtesave të Shkatërruara të Detroitit do të kenë një ide më të mirë se sa do të kushtojë rregullimi i gjendjes së ndërtesave të braktisura të Detroitit.
XS
SM
MD
LG