Lidhje

SHBA dhe e drejta e shtetësisë në lindje


Në Shtetet e Bashkuara është ndezur një stuhi politike dhe debat ligjor i shkaktuar nga synimi i shpallur i Presidentit Donald Trump për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv që u mohon shtetësinë foshnjave të lindura në Shtetet e Bashkuara nga persona që nuk janë shtetas amerikanë apo që janë imigrantë të paligjshëm.

"Është në proces. Do të ndodhë," tha zoti Trump në një intervistë me “Axios on HBO” kur u pyet nëse do ta ndryshonte politikën aktuale që lejon marrjen e shtetësisë në lindje. "Është qesharake dhe duhet të marrë fund," shtoi Presidenti Trump.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm që u jep foshnjave shtetësinë në lindje.

Në fakt, SHBA nuk janë të vetmet.

Janë rreth 30 vende të tjera, duke përfshirë edhe fqinjët e Amerikës Kanadanë dhe Meksikën që e bëjnë këtë. Por disa vende në dekadat e fundit - duke përfshirë Australinë, Britaninë, Francën, Indinë dhe Irlandën – e kanë shfuqizuar këtë të drejtë.

Presidenti Trump tha se e kishte diskutuar këtë ide me këshilltarin e tij i cili e kishte informuar se nuk nevojitet ndryshimi i Kushtetutës për t'i dhënë fund marrjes së shtetësisë nga foshnjat qysh në lindje, i njohur në gjuhën juridike si jus soli.

Ligjvënësit e partisë së vetë Presidentit Trump kanë mendime të ndryshme për këtë çështje.

"Më në fund, ja një president i gatshëm për të shfuqizuar këtë politikë absurde të shtetësisë në lindje", shkruante senatori republikan Lindsey Graham, duke njoftuar se do të paraqesë legjislacionin që pasqyron urdhërin ekzekutiv të propozuar nga Presidenti Trump.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan është shprehur kundër propozimit.

"Nuk mund t'i japësh fund shtetësisë në lindje me një urdhër ekzekutiv", tha zoti Ryan të martën për radion Kentucky WVLK, duke vënë në dukje gjithashtu se republikanëve nuk u erdhi mirë kur paraardhësi i zotit Trump, Barak Obama, ndryshoi politikën e emigracionit me veprime ekzekutive.

Edhe kongresmeni republikan Carlos Curbelo, që përfaqëson qarkun e 26-të të Floridas - ku gati gjysma e popullsisë është e lindur jashtë vendit – tha se presidenti nuk mund t'i japë fund shtetësisë në lindje me urdhër ekzekutiv, sepse kjo politikë është e përfshirë në një amendament kushtetues dhe për këtë arsye është e mbrojtur me Kushtetutë.

"Ajo që na duhet është reforma e gjerë e emigracionit që e bën vendin tonë më të sigurt dhe riafirmon traditën tonë të mrekullueshme si një vend imigrantësh", tha zoti Curbelo në Twitter.

I pyetur nga VOA News nëse ai e sheh shtetësinë në lindje si një magnet për imigracionin e paligjshëm, senatori republikan John Hoeven u përgjigj: "Mendoj se është dhe prandaj ne duhet të merremi me këtë çështje".

Interpretimi i Amendamentit të 14-të

Studiuesit e kushtetutës po debatojnë tashmë se si do ta shihnin gjyqtarët sfidën e pashmangshme ligjore ndaj urdhërit të propozuar ekzekutiv. Ata të gjithë pajtohen se çështja ka të bëjë me interpretimin e Amendamentit të 14-të të Kushtetutës.

"Ne e çmojmë gjuhën e amendamentit të 14-të, por Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara kurrë nuk ka përcaktuar nëse gjuha e amendamentit të 14-të" është e zbatueshme për ata që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme, tha zëvendëspresidenti Mike Pence në komentet e tij të martën .

"Është një çështje e hapur," thotë John Eastman, profesor i së drejtës në Universitetin Chapman.

Udhëheqësja e Pakicës Demokrate të Dhomës, Nancy Pelosi thotë se propozimi i planifikuar i presidentit është një manovër zgjedhore.

"Pretendimi i ri i Presidentit Trump se ai mund t’i japë fund në mënyrë të njëanshme garancisë për shtetësinë në lindje për Kushtetutën, tregon dëshpërimin e republikanëve për të zhvendosur vëmendjen nga sulmet e tyre ndaj programeve të kujdesit shëndetësor, tha zonja Pelosi.

Amendamenti, i ratifikuar në vitin 1868, u projektua nga ligjvënësit për të siguruar që pas Luftës Civile skllevërve të mëparshëm të mos u kufizoheshin të drejtat themelore si shtetas.

Amendamenti thotë: "Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe nën juridiksionin e tyre, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të Shtetit ku banojnë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG