Lidhje

SHBA, Japoni anulojnë marrëveshjen për bazën amerikane në Okinava


SHBA, Japoni anulojnë marrëveshjen për bazën amerikane në Okinava
SHBA, Japoni anulojnë marrëveshjen për bazën amerikane në Okinava

Japonia dhe Shtetet e Bashkuara duket se do të anulojnë një marrëveshje të vitit 2006 për zhvendosjen e një baze strategjike ushtarake amerikane në një pjesë të vogël me më pak njerëz të ishullit Okinava. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman njofton se kjo ndodh në një kohë kur ky qytet ka zgjedhur krybashkiakun e ri.

I penguar nga aktivistët dhe politikanët lokal të cilët kërkojnë që bazat ushtarake dhe personeli i tyre të largohen nga Okinava dhe të vendosen në një pjesë tjetër të ishullit, zyrtarë japonezë me ndikim, sipas burimeve lokale, kanë rënë dakord që plani për të cilin është arritur marrëveshje me Uashingtonin të mos zbatohet.

Kjo do të thotë se baza e marinsave amerikane që ndodhet në mes të qytetit Ginowan do të vazhdojë të funksionojë. Të dielën, votuesit në Ginowan zgjodhën Atsushi Sakima kryetar të bashkisë së qytetit të tyre.

Në selinë e fushatës së zotit Sakima njerëzit ishin të gëzuar, kur dëgjuan se ai siguroi fitore kundër një kandidati të vijës së ashpër majtiste që është kundër qëndrimit të bazës amerikane. Por edhe zoti Sakima gjatë fushatës ka kërkuar largimin e bazës amerikane nga ishulli. Ai përsëriti qëndrimin e tij për gazetarët në komentet që bëri pas zgjedhjes në postin e kryebashkiakut.

Zoti Sakima thotë se së bashku me guvernatorin Okinavës ai do t’i kërkojë qeverisë qendrore të zgjidhë çështjen e bazës amerikane dhe ta zhvendos atë për të pakësuar barrën mbi popullsinë lokale.

Javën e kaluar media njoftoi se 1500 marinsa të vendosur në bazën amerikane në Okinava, do të vendoseshin në brendësi të territorit japonez. Por ish-konsulli i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në Okinava, Kevin Maher, thotë se nuk ka shenja se kjo altenativë është duke u konsideruar seriozisht.

“Më është thënë si nga japonezët ashtu edhe nga qeveria amerikane se ideja e lëvizjes së një numri të marinsave amerikane në territorin e Japonisë, më saktësisht në Iwakuni, nuk është diçka që po diskutohet nga qeveritë”.

Ata do të jenë pjesë e rreth 8 mijë marinsave, që ishte në plan të lëviznin nga Okinava në Guam, në bazë të marrëveshjes gjashtë-vjeçare për ri-organizimin e forcave amerikane në Japoni.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia njoftuan se nuk do ta lidhin zhvendosjen e bazës ajrore me lëvizjen e marinsave nga ishulli.

Zoti Maher, tani një konsulent, thotë se qeveria japoneze ka dështuar t’u shpjegojë banorëve të Okinavës se pse bazat amerikane janë me rëndësi jetike. Ish kreu i zyrës së Departamentit të Shtetit për Japoninë pretendon se bazat janë kritike jo vetëm për sigurinë e Japonisë, por edhe për Okinavën, veçanërisht tani që Kina është duke zgjeruar kapacitetetet e forcave të saj detare.

Në Okinava janë të dislokuara gati gjysma e 50 mijë anëtarëve të personelit ushtarak amerikanë në Japoni, përfshirë 18 mijë marinsat.

Zoti Maher doli në pension vitin e kaluar, pasi u njoftua se kishte bërë komente kontradiktore rreth Okinavës, që u publikuan nga një agjenci japoneze lajmesh. Ai i ka hedhur poshtë pretendimet se ka bërë komente ofenduese gjatë një konference me studentë në Uashington.

XS
SM
MD
LG