Lidhje

SHBA dhe vendet baltike kundër rishkrimit të historisë nga Rusia


US Secretary of State Mike Pompeo

Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë, duke kundërshtuar përpjekjet ruse për të rishkruar historinë.

Ky hap vjen pas një deklarate të Presidentit Vladimir Putin, i cili tha se vendet e Baltikut e pranuan vetë aneksimin nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në një deklaratë të përbashkët me ministrat e jashtëm të tre vendeve baltike, shkruante: "Ne jemi të vendosur kundër çdo përpjekjeje të Rusisë për të rishkruar historinë dhe për të justifikuar pushtimin dhe aneksimin e vitit 1940 të shteteve baltike nga Bashkimi Sovjetik.”

Ky vit shënon 80 vjetorin e një deklarate të vitit 1940 të bërë nga sekretari i atëhershëm i shtetit, Sumner Welles, që dënonte aneksimin sovjetik të tre vendeve baltike.

Presidenti Putin tha muajin e kaluar se përfshirja e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë në Bashkimin Sovjetik "u realizua në bazë të një kontrate, me pëlqimin e autoriteteve të zgjedhura". "Kjo ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe shtetëror të asaj kohe," theksoi ai në një shkrim për revistën amerikane The National Interest.

Bashkimi Evropian dhe NATO-ja kanë akuzuar Rusinë se po zhvillon një fushatë dezinformimi në përpjekje për të destabilizuar Perëndimin, duke shfrytëzuar ndarjet në shoqëritë e këtyre vendeve. Rusia e mohon se ndjek taktika të tilla.

Komisioni Evropian tha në janar se nuk do të tolerojë shtrembërimin e fakteve historike, pas deklaratave të Presidentit Putin se Polonia kishte përgjegjësinë e saj për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, pasi ajo bashkëpunoi fshehurazi me planet e Gjermanisë naziste në vitin 1938 për copëtimin e Çekosllovakisë.

Presidenti polak Andrzej Duda e akuzoi Presidentin Putin për "gënjeshtra historike".

Në vitin 1989, gjatë periudhës së glasnostit ose hapjes, nën udhëheqësin sovjetik Mihail Gorbaçov, Moska denoncoi paktin e fshehtë sovjeto-nazist të vitit 1939 për të copëtuar Poloninë dhe shtetet baltike, gjë që i lejoi Bashkimit Sovjetik ta aneksonte këtë rajon.

Lituania, Estonia dhe Letonia e fituan pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në kohën kur ai po shpërbëhej dhe tani janë që të treja anëtare të BE-së dhe të NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG