Lidhje

SHBA, Dita Përkujtimore kremtohet me ceremoni virtuale


Ndërkohë që pandemia e koronavirusit vazhdon të jetë kërcënim, festa e Ditës Përkujtimore në SHBA do të jetë ndryshe nga e kaluara. Kudo në Shtetet e Bashkuara familjet po organizojnë ceremoni me platforma virtuale për të vazhduar traditën e përkujtimit të njerëzve të tyre të rënë në detyrë.

Në SHBA, Dita Përkujtimore kremtohet të hënën e fundit të muajit maj, por e gjithë fundjava që i paraprin kësaj dite është një moment gjatë të cilit amerikanët përkujtojnë burrat dhe gratë e rënë gjatë shërbimit ushtarak.

Kjo javë kremtimesh vjen ndërkohë që numri i të vdekurve nga COVID-19 në SHBA pritet ta kalojë shifrën 100,000.

Gazeta New York Times mbushi faqen e saj të parë të ditës së dielë me emrat e 1.000 viktimave nga koronavirusi për të dëshmuar përmasat e tragjedisë.

Shumë qytete në të gjithë vendin, si Woodland Park në Nju Xhersi, apo San Clemente në Kaliforni, kanë thënë se do të nderojnë heronjtë e rënë të ushtrisë dhe të forcave ligjzbatuese me ceremoni virtuale.

"Nderimi i heronjve tanë të rënë gjithmonë do të jetë përparësi," tha bashkia e qytetit Woodland Park në një deklaratë.

Zyrtarët në të dy qytetet përmendën shqetësimet e përhapjes së koronavirusit nëse do të mbaheshin tubime të mëdha publike, prandaj ceremonitë po mbahen me internet.

Qytete të tjera, si Antigo në Uiskonsin, do të mbajnë paradat e Ditës Përkujtimore, por me kërkesa për masa sigurie si maskat dhe distancim shoqëror.

Organizatorët e festimeve dhe ceremonive më të mëdha kombëtare gjithashtu kanë vendosur t’i mbajnë ato në distancë, duke shmanguer grumbullimet.

Koncerti i Ditës Përkujtimore Kombëtare, që mbahet tradicionalisht në lëndinën perëndimore të Kapitolit në Uashington është vetëm njëri nga shumë prej koncerteve të mëdha që do të ndryshojnë formë për shkak të pandemisë COVID-19.

"Në këtë kohë të paprecedentë, kur vendi ka nevojë më shumë se kurrë, ne do t'i mbledhim amerikanët si një familje për të nderuar heronjtë tanë," tha producenti i koncertit Michael Colbert. "Ky ka qenë misioni i Koncertit prej 30 vjetësh, dhe mezi presim të ndajmë histori dhe muzikë të mbështetjes, shpresës, rezistencës dhe atdhetarizmit".

Koncerti Kombëtar i Ditës Përkujtimore 2020 do të transmetohet drejtpërdrejt në PBS.org, YouTube dhe Facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG