Lidhje

SHBA do të flasin mbi kërcënimin kinez në samitin e NATO-s


Shtetet e Bashkuara do të diskutojnë mbi kërcënimet që paraqet Kina, sidomos me dominimin prej saj të rrjeteve 5G të telekomunikimit, kur Presidenti Donald Trump të takohet me aleatët në një samit të NATO-s në Londër javën e ardhshme, u tha gazetarëve një zyrtar të premten.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Kina po përpiqen të finalizojnë fazën e parë të një marrëveshjeje tregtare, një zyrtar i lartë i administratës tha se Shtetet e Bashkuara do të insistojnë që aleatët të përdorin kompani të besueshme telekomunikacioni.

"Kjo është një përparësi shumë, shumë e lartë për ne dhe presidenti do ta ritheksojë këtë mesazh," tha zyrtari.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vendet që të mos përdorin pajisje të prodhuara nga kompania kineze Huawei Technologies, duke thënë se pajisjet e saj mund të shfrytëzohen nga Kina për spiunazh. Shqetësimet janë përqëndruar tek një ligj kinez për bashkëpunimin e ndërmarrjeve vendase me qeverinë për çështjet e sigurisë dhe kritikët thonë se qeveria mund t'i detyrojë ato të shërbejnë si mjet për spiunazhin kinez.

Huawei i mohon pretendimet e Uashingtonit.

Zyrtari amerikan shtoi se Kina paraqet një sfidë për NATO-n dhe se ajo synon të minojë rendin ndërkombëtar që bazohet në rregulla.

"Kina po kërkon në mënyrë aktive një prani të madhe dhe më shumë ndikim në të gjithë globin, përfshirë në fushën e përgjegjësive të NATO-s", u tha zyrtari gazetarëve.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë shtuar pas nënshkrimi të mërkurën nga Presidenti Trump të projektligjeve që mbështesin protestuesit në Hong Kong dhe që kërcënojnë Kinën me sanksione të mundshme për çështjen e të drejtave të njeriut.

Nënshkrimi i projekt-ligjeve bëri që Ministria e Jashtme kineze të paralajmëronte të enjten për "kundërmasa të forta."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG