Lidhje

Emigracioni drejt Amerikës gjatë vitit 2018 


Nga politikat e emigracionit të Presidentit Donald Trump, viti 2018 do të mbahet mend për vajtimet e fëmijëve emigrantë ndërsa ndaheshin nga prindërit e tyre; për dërgimin e Gardës Kombëtare në kufi nga Presidenti Trump që e quajti situatën “një emergjencë kombëtare”; si dhe për pamjet e familjeve që i largoheshin gazit lotsjellës në kufirin SHBA – Meksikë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ramon Taylor përshkruan momentet dramatike në kufirin amerikan që kanë filluar të përkufizojnë trashëgiminë e Presidentit Trump dhe që kanë lënë shumë jetë në pasiguri në këtë ndërrim vitesh.

Premtimi kryesor i Presidentit Trump për ndërtimin e murit kufitar ende nuk po ndodh pas 15 muajsh në detyrë. Kongresi i dha fonde vetëm për zëvendësimin e barrierave ekzistuese.

Kështu që në muajin prill, kur një karvan emigrantësh nga vende të Amerikës Qendrore që i largoheshin dhunës dhe varfërisë ekstreme iu drejtuan Shteteve të Bashkuara për azil...

...Presidenti Trump i ra alarmit dhe mobilizoi Gardën Kombëtare me arsyetimin e “një rritjeje drastike të aktivitetit ilegal në kufirin jugor”.

Vetëm disa qindra prej rreth 1500 emigrantëve të karvanit bënë udhëtimin prej 3200 kilometrash deri në kufirin amerikan.

Sapo hynë në SHBA, ata u ndaluan dhe prindërit u ndanë nga fëmijët e tyre, si pjesë politikës së re për “Zero Tolerancë”.

“Fëmijët marrin kujdesin e duhur dhe të përshtatshëm. Ne shpenzojmë 1 miliardë dollarë çdo vit nga paratë e taksapaguesve për t’u kujdesur për të miturit e pashoqëruar”, tha Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Por, “ProPublica” bëri publike regjistrime audiofonike të fëmijëve që qanin në qendrat e mbajtjes, duke ngjalluar kështu zemërim mbarëkombëtar. Në Nju Jork, u formua një karvan gjyshesh që do të shkonin drejt kufirit në shenjë proteste...

“Nuk ka më keq se të mos dish ku janë fëmijët e tu”, tha Rachna Daryanani, pjesëmarrëse në “Karvanin e Gjysheve”.

Zemërimi përfshiu edhe banorët e zonave kufitare.

“Ndoshta gabojnë që vijnë këtu ilegalisht, por kjo nuk do të thotë se kemi të drejtën të kryejmë mizori ndaj familjeve dhe fëmijëve”, tha Ramon Montoya, banor i zonës kufitare në Teksas.

Revoltimi e detyroi Presidentin t’i jepte fund në qershor politikës së ndarjes së familjeve, por ndërkohë ishin ndarë 2600 fëmijë prej prindërve të tyre dhe ribashkimi rezultoi i vështirë.

Ndërsa afroheshin zgjedhjet e mesmandatit u krijuan disa karvanë të tjerë me emigrantë. Presidenti Trump i quajti një pushtim.

“Mendoni se do ta lejojmë karvanin të hyjë në këtë vend? Ta harroni”, deklaroi Presidenti Trump.

Mbështetësit e tij janë dakord.

“Duam kufij të mbyllur”, thotë një mbështetëse.

“Nuk besoj në kufijtë e hapur. Unë kam fëmijë vetë dhe më duhet të kujdesem për sigurinë e tyre”, thotë një mbështetës i Presidentit.

Presidenti mobilizoi rreth 5 mijë ushtarakë në shërbim aktiv për t’iu bashkuar 2 mijë rezervistëve të Gardës Kombëtare.

Këtë radhë, emigrantët u përballën me periudha të gjatë pritjeje në pikat hyrëse kufitare, ndërsa u rreshtuan për të hyrë ligjërisht dhe për të kërkuar azil, pasi një udhëzim i ri ndaloi kërkesat për azil për të gjithë ata që hynin në SHBA në mënyra të tjera. Agjensia e Mbrojtjes Kufitare dhe Doganave informoi se mund të përpunojë vetëm një numër të caktuar aplikimesh në ditë.

Pritja ishte e lodhshme. Në Tijuana, një protestë paqësore ndërroi kah. Disa hodhën gurë dhe patrullat kufitare u përgjigjën me gaz lotsjellës.

Një fotografi tregon një nënë dhe fëmijët e saj ndërsa përpiqen të largohen.

“Mendova se vajzat e mia dhe unë do të vdisnim aty prej gazit. Vrapuam, ramë në baltë dhe u përpoqëm të ngriheshim...”, thotë Maria Meza, nëna emigrante që u shfaq në atë fotografi.

Për shkak të radhëve të gjata të pritjes, disa emigrantë janë rikthyer në shtëpi ose kanë qëndruar në Meksikë.

“Kam dëgjuar prej shumë njerëzve që kanë aplikuar dhe nuk u është dhënë azil. Prandaj, nuk dua të vazhdoj të humb më shumë kohë”, thotë Mario Hernandez, emigrant nga Guatemala.

Të tjerë emigrantë vazhdojnë të qëndrojnë në kampe pranë kufirit. Njësitë ushtarake amerikane do të qëndrojnë deri në janar, ndërsa qeveria amerikane vazhdon të diskutojë çështjen e financimit të murit kufitar. Debati vazhdon gjithashtu rreth çështjes nëse kjo ishte vërtet një emergjencë kombëtare apo një krizë e sajuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG