Lidhje

SHBA, fëmijët imigrantë


18 qershor 2014, fëmijë imigrantë të arrestuar duke fjetur në një qendër imigrantësh në Teksas
18 qershor 2014, fëmijë imigrantë të arrestuar duke fjetur në një qendër imigrantësh në Teksas
Shtetet e Bashkuara po u thonë prindërve të Amerikës Qendrore se nuk ka shteg për të marrë shtetësinë amerikane për mijëra fëmijë të pashoqëruar që hyjnë ilegalisht në vend me shpresë se do t’i shpëtojnë varfërisë dhe krimit në vendet e tyre.

Në një letër të hapur për prindërit publikuar në mediat spanjisht-folëse gjatë fundjavës, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Jeh Johnson tha se nuk janë dhënë leje qëndrimi për asnjë nga 47 mijë fëmijët që kanë hyrë në vend këtë vit. Shumica e fëmijëve kanë ardhur nga Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala dhe kanë udhëtuar përmes Meksikës për në kufirin jugperendimor të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Johnson tha se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë deportimin e fëmijëve megjithëse tani ata po mbahen në disa qendra ndërsa rastet e tyre shqyrtohen nga gjykatës të imigracionit.

Ai tha se dëshira për të parë një fëmijë të ketë një jetë më të mire në Shtetet e Bashkuara është e kuptueshme por shtoi se rreziqet e imigracionit të paligjshëm janë shumë më të mëdha.

Shefi i Sigurisë Kombëtare paralajmëroi prindërit se është e rrezikshme të dërgojnë fëmijët e tyre në udhëtimin e gjatë për në Shtetet e Bashkuara dhe se rrjetet kriminale të trafikimit nuk duan t’ia dinë për sigurinë e tyre.

Gati 11 milionë imigrantë të paligjshëm janë tashmë në Shtetet e Bashkuara dhe reforma e imigracionit është politikisht e debatueshme. Vitin e kaluar senati miratoi reforma që do të lejonin shumë imigrantë të paligjshëm të bëheshin shtetas amerikanë por legjislacioni është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve.

Johnson tha se vetëm fëmijët që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara para mesit të vitit 2007 mund të qëndrojnë.
XS
SM
MD
LG