Lidhje

ShBA: Gjykata e Lartë heq kufizimet për kontributet elektorale


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të mërkurën t’i lehtësojë më tej kufizimet për kontributetet në fushatat elektorale, duke hapur kështu mundësinë e një ndikimi edhe më të madh të dhuruesve të pasur. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Maloe, i hedh një vështrim ndikimit që mund të ketë ky vendim i fundit i Gjykatës së Lartë.

Me pesë vota në favor dhe katër kundër, shumica e anëtarëve konservatorë të Gjykatës së Lartë, shfuqizuan ligjin që vendoste kufizime për kontributet që dhurues individualë mund të japin për kandidatët në nivel federal, për partitë politike apo për grupet politike.

Me ligjin e mëparshëm, sasia maksimale e kontributeve që një individ mund të jepte gjatë një periudhe dy-vjeçare cikli elektoral ishte 123 mijë e 200 dollarë. Vendimi i fundit i gjykatës, u krijon mundësi dhuruesve të pasur, të kontribuojnë me miliona dollarë për kandidatët dhe partitë politike, duke e shtuar më tej ndikimin e tyre, që ka qënë në rritje, që pas një vendimi tjetër të po kësaj gjykate në vitin 2010 për reformën elektorale.

Vendimi u prit mirë nga republikanët. Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, e përshëndeti vendimin në një bisedë me gazetarët.

“Amendamendi i Parë i kushtetutës është për të gjithë. Njerëzit duhet të kenë të drejtë të japin kontribute dhe të ushtrojnë lirinë e të shprehurit për aq kandidatë sa duan dhe për aq grupe politike sa dëshirojnë”.

Demokratët e kundërshtuan ashpër vendimin që përfundoi me rezultat të ngushtë, duke e cilësuar atë një humbje për votuesin e thjeshtë dhe një fitore për dhuruesit e pasur, që synojnë të kenë një ndikim të padrejtë në zgjedhjet amerikane.

Senatori demokrat i Nju Jorkut, Charles Schumer kritikoi ashpër shumicën konservatore të Gjykatës së Lartë.

“Ata duan të zhbëjnë gjithë kufizimet, njera pas tjetrës, derisa të kthehemi në ditët e hershme, kur kushdo mund të jepte para sa të donte, pa i bërë ato të ditura, duke e bërë kështu sistemin tonë kaq të manipulueshëm, sa interesimi për demokracinë tonë do të humbiste”.

Vendimi po ashtu u kritikua edhe nga grupet e ndryshme që mbështesnin forcimin e ligjeve për kontributet elektorale, si një mënyrë mbrojtjeje nga korrupsioni politik.

Marge Baker, punon për një organizatë të tillë në Uashington, “Njerëzit për Rrugën Amerikane”. Vendimi i Gjykatës së Lartë, thotë ajo, mund të bëhet shkas për fillimin e lëvizjeve të gjera në bazë, për ligje më të forta kufizuese për të parandaluar blerjen e ndikimit tek kandidatët.

“Në pjesë të ndryshme të vendit po lind një lëvizje për të zgjidhur problemin e parave të mëdha që hidhen në fushata elektorale dhe lëvizja po forcohet dita-ditës.”

Por ligjvenësit konservatorë republikanë në Kongres pritet të bllokojnë çdo përpjekje në të ardhmen e afërt për të forcuar ligjet për kontributet financiare.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell është kritik i hershëm i reformës së financimit të fushatave elektorale. Ai i barazon kontributet monetare me lirinë e të shprehurit, të garantuar me kushtetutë.

“Ka shumë amerikanë të pasur që kanë ndjenja të forta për vendin, që janë mbështetës të një pale, ose të tjetrës, të cilët përpiqen të ndikojnë dhe ka aq shumë që mbështesin të majtën, sa ç’ka që mbështesin të djathtën”.

Senatori McConnell ishte përkrahës i vendimit tjetër polemizues të para 4 vjetëve të Gjykatës së Lartë, i cili shfuqizoi një numër kufizimesh ndaj korporatave dhe sindikatave, që dëshironin të kontribuonin për fushata elektorale, përsa kohë që kontributet nuk u shkonin drejtpërdrejt kandidatëve.

Ndikimi i grupeve të ndryshme politike dhe individëve të pasur, ka adhur në rritje gjatë zgjedhjeve të fundit dhe në disa raste, ndikimi i tyre ka qënë i njejtë me atë të partive politike, kur bëhet fjalë për grumbullim fondesh për fushatë.

Anketat tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar rreth ndikimit në rritje të dhuruesve të pasur, por si çështje, kjo nuk renditet lartë në përparësitë e votuesve.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë është në vazhdën e prirjes që i kundërvihet asaj të filluar në vitet ’70, kur Kongresi miratoi ligje më kufizuese për kontributet elektorale pas skandalit politik të Uotergejtit, që çoi në dorëheqjen e presidentit të atëhershëm Riçard Nikson.
XS
SM
MD
LG