Lidhje

SHBA, hendeku teknologjik, shqetësim për mësimdhënien online


Online Charter Schools
Online Charter Schools

Me afrimin e vjeshtës, familjet amerikane përgatiten për fillimin e vitit të ri shkollor.

Por pandemia ka ndryshuar mësimdhënien, prandaj në vend të përgatitjes së mjediseve mësimore, shumë mësues e institucione arsimore po përpiqen ta bëjnë mësimin përmes internetit sa më cilësor.

Në fund të verës në shumë shtete amerikane fillon viti i ri shkollor. Me mbylljen e ambjenteve mësimore për shkak të pandemisë, këtë vit shumë nxënës do të ndjekin mësimet përmes internetit.

Në shkollën e mesme teknike në Oakland të Kalifornisë, nxënësit kanë ardhur për të marrë librat dhe në disa raste edhe kompjutera për të ndjekur mësimet nga shtëpia.

“Kemi një kompjuter në shtëpi, por bëhet e vështirë pasi jemi tre veta që kemi nevojë për ta përdorur” thotë nëna e një nxënësi.

Në distriktin e Oaklandit, autoritetet përllogarisin se afro gjysma e 50 mijë nxënësve nuk kanë pajisjet e nevojshme për të ndjekur mësimet përmes internetit. Ky problem ndeshet në mbarë vendin.

Organizata jo-fitimprurëse kanë bashkuar forcat me shkollat e zonës për të pëmbushur nevojat e familjeve që nuk kanë pajisjet e nevojshme për mësimin përmes internetit.

“Nganjëherë interneti është i ngadaltë, pasi jemi të gjithë duke punuar në kompjuter,” thotë Tiana Grace, nxënëse në shkollën teknike.

Ky koalicion po grumbullon fonde për pajisje si kompjutera, përforcues për internetin dhe mjete të tjera për nxënësit në nevojë.

“Mendoj se lidhja me botën përmes internetit është thuajse aq e nevojshme sa buka e përditshme në ditët tona,” thotë Phil Williams, një vullnetar në shkollën teknike.

“Pandemia na ka bërë të mendojmë se si të përmbushim nevojat sa më mirë,” thotë zoti Williams.

Një grua tregon se ka pesë fëmijë që do të ndjekin mësimet me internet.

“Shkova në shkollat e tyre për të marrë kompjutera për secilin,” thotë ajo.

Kur shkolla fillore Emerson mbylli klasat në mars, mësuesi i klasës së dytë Peter Limata u shqetësua se do të humbiste lidhjet me nxënësit.

Ai krijoi një faqe në Facebook, ku u lexonte nxënësve, me shpresën se familje të ndryshme do ta ndiqnin përmes celularëve. Tani që afron një vit i ri shkollor, mësuesi shqetësohet se nxënësit që nuk e përdorën faqen në Facebook do të mbeten prapa edhe më shumë.

“Është dallimi mes dikujt që shkon në shkollë dhe një nxënësi që nuk shkon në shkollë. Po ashtu dallon edhe cilësia, pasi disa nxënës lidhen me internet, por nuk angazhohen në diskutim sepse sa herë që hapin videon kanë ndërprerje ngaqë nuk kanë internet të mirë,” thotë mësuesi Peter Limata.

“Vështirë ta mendosh se në Shtetet e Bashkuara një në pesë fëmijë nuk ka kompjuter, ose nuk ka lidhje të mirë në internet,” thotë zonja Robin Lake me Qendrën për një Arsim të ri Publik.

Në pranverë vërejtëm se disa nxënës u detyruan të shkojnë në parkimet e bibliotekave për të shfrytëzyar internetin, ose bënin mësimet me celular,” thotë Robin Lake.

“Nga anketat me mësues në të gjithë vendim kemi mësuar se janë të shqetësuar se nxënësit po mbeten prapa,” thotë zonja Lake.

“…Dhe tani po fillojmë një vit të ri shkollor përsëri në këtë gjendje,” thotë zonja Lake.

Prandaj përpjekjet për t’u ndarë nxënësve kompjutera dhe pajisje të tjera elektronike bëhen edhe më urgjente për të zvogëluar hendekun teknologjik mes familjeve amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG