Lidhje

SHBA heq sanksionet ndaj gjeneralit venezuelian që u distancua nga Maduro


Administrata e Presidentit Trump ka hequr sanksionet kundër drejtorit të zbulimit të Venezuelës, i cili braktisi qeverinë e Nicolas Maduros javën e kaluar.

Nënpresidenti Mike Pence paralajmëroi gjithashtu 25 anëtarët e Gjykatës së Lartë të Venezuelës se Shtetet e Bashkuara do t'i mbajnë përgjegjës nëse nuk mbështesin sundimin e ligjit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Pas dështimit të një përpjekjeje javën e kaluar nga Juan Guaidó për të rrëzuar Nicolas Maduron nga pushteti, Nënpresidenti amerikan Mike Pence mbajti fjalimin e parë mbi rikalibrimin e politikës së jashmte të Shteteve të Bashkuara në një takim të organizatës Këshilli i Kontinentit Amerikan në Uashington.

Ai inkurajoi komandantët ushtarakë që të distancohen nga Maduro, duke thënë se sanksionet amerikane ndaj tyre nuk ka nevojë të jenë të përhershme:

"Ashtu siç ka premtuar Asambleja Kombëtare (e Venezuelës) të ofrojë amnisti për këdo që nuk ka kryer krime lufte, edhe Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë lehtësimin e sanksioneve për të gjithë ata që mbështesin Kushtetutën dhe sundimin e ligjit".

Nënpresidenti Pence kritikoi Iranin dhe Rusinë për rolin e tyre në mbështetjen e Maduros, por tha se askush nuk ka bërë më shumë për ta mbështetur atë sesa udhëheqësit komunistë të Kubës:

"Siç e pamë javën e kaluar, vendimet kyçe për të ardhmen e Venezuelës nuk merren në Karakas por në Havanë. Venezuela nuk është thjesht një klient i kubanëve, populli i Venezuelës është në thelb peng i Kubës".

Në kongres, senatori republikan Rick Scott veçoi Rusinë dhe Kinën për mbështetjen ndaj Maduros:

"Ne të gjithë duhet ta kuptojmë se Maduro po vret qëllimisht shtetasit e tij, fëmijët e vegjël po vdesin nga uria në Venezuelë. Presidenti rus [Vladimir] Putin dhe presidenti [kinez] Xi (Jinping) po mbështesin Maduron, i cili vret qytetarët e tij."

Nënpresidenti Pence tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë popullin e Venezuelës që të ketë një të ardhme më të mirë pas largimit të Maduros.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG