Lidhje

Imigracioni dhe beteja politike për Kongres


Vendimi i Presidentit Donald Trump për ta anuluar praktikën e ndarjes së familjeve imigrante që hyjnë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara erdhi menjëherë pas një stuhie politike që ndodhi javën që po mbyllet. Ky vendim, po ashtu përgatit kushtet që imigracioni të bëhet çështja kryesore në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres në nëntor të këtij viti.

Gjatë një mitingu politik në shtetin e Minesotës, Presidenti Trump u zotua se do ta bëjë imigracionin çështje qendrore në fushatën e këtij viti të zgjedhjeve për në Kongres:

"Nëse duam të krijojmë një sistem imigracioni të ligjshëm mos i zgjidhni më demokratët, por votoni për republikanët, që më në fund të kemi kufij të sigurtë,"- tha Presidenti.

Vetëm disa orë më parë, presidenti kishte ndryshuar politikën e tij të shumëdebatuar, që ndante fëmijët nga prindërit imigrantë.

"Do të sigurohemi që të kemi kufij të fortë, shumë të fortë. Por familjet nuk do t'i ndajmë."- tha ai.

Trump hoqi dorë nga politika e ndarjes së fëmijëve, pas thirrjeve dhe protestave në mbarë vendin, sidomos pas publikimit të një regjistrimi audio të fëmijëve që qanin për prindërit.

Zemërimi i madh kaloi edhe në linjat partiake, duke përfshirë ligjvënësin demokrat Elijah Cummings:

"Ne duhet të biem dakord që nuk do t'i mbajmë fëmijët në kampe internimi pafundësisht, larg syrit të publikut. Çfarë vendi është ky?Jetojmë në Shtetet e Bashkuara në Amerikës!"

Përkrahës të politikave për forcimin e kufijve, si Art Arthur, e mbështesin Presidentin:

"Fluksi i madh i njerëzve që po hyjnë tregon se po kthehemi përsëri tek situata gjatë administratës Obama; administrata Trump duhej të merrte masa dhe kjo është përgjigja e duhur."

Por një numër i madh udhëheqësish fetarë u shprehën me kritika, si Imzot Kevin Sullivan:

"Të ndash fëmijën nga nëna, është shumë e papranueshme për ne si amerikanë."

Dështimi i menjëhershëm që pati kjo politikë mund ta dëmtojë presidentin, thotë analisti Larry Sabato:

"Është një katastrofë në marrëdhëniet me publikun për administratën Trump; të gjithë e kuptojnë këtë, me përjashtim të Trumpit dhe ndihmësve të tij që janë kundër imigracionit,"- thotë analisti.

Por Sabato thotë gjithashtu se qëndrimi i ashpër i Presidentit për imigracionin synon të forcojë bazën e partisë, në prag të zgjedhjeve të nëntorit:

"Natyrisht, që ata po fokusohen tek baza e partisë. Republikanët duan të sigurohen që njerëzit do të votojnë dhe kjo është me rëndësi në zgjedhjet e mesit të mandatit, ku pritet që rezultati të jetë i ngushtë."

Kohët e fundit mbështetja për zotin Trump në anketa është rritur, sidomos pas takimit me Korenë e Veriut.

Por anketat u zhvilluan para "stuhisë" së ndarjes së famijeve në kufi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG