Lidhje

SHBA, informatorja kritikon Shtëpinë e Bardhë për certifikatat e sigurisë


Një informatore nga brenda Shtëpisë së Bardhë i tha kongresit se zyrtarë të lartë të administratës Trump u dhanë certifikata sigurie të nivelit kombëtar të paktën 25 njerëzve, që ishin refuzuar më parë nga kontrollorët e qeverisë për një sërë arsyesh.

Informatorja, Tricia Newbold, tha se zyrtarët, të cilëve iu dhanë certifikatat e sigurisë, megjithë rekomandimet që të mos u jepeshin, përfshijnë dy zyrtarë të lartë të identifikuar të Shtëpisë së Bardhë, kontraktorë të qeverisë dhe ndihmës të tjerë të stafit që punojnë për zyrën e Presidentit Donald Trump.

Zonja Newbold, që punon prej 18 vjetësh me certifikatat e sigurisë nën presidentë republikanë dhe demokratë, muajin e kaluar i tha Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve se, megjithëse zoti Trump ka të drejtën si president të anulojë refuzimet e certifikatave për punonjës të ndryshëm të karrierës në qeveri, dhënia e ceretifikatave nuk "është gjykuar gjithmonë nga prizmi i interesit të sigurisë kombëtare".

Kryetari i komisionit, Elijah Cummings, u tha anëtarëve se sipas zonjës Newbold, ata që morën certifikatat e sigurisë me ndërhyrjen e zyrtarëve të lartë të administratës Trump "kishin një gamë të gjerë problemesh serioze skualifikuese, që përfshinin ndikimin nga jashtë, konfliktet e interesit, sjelljen personale, problemet financiare, përdorimin e drogës dhe sjellje kriminale."

Zonja Newbold u tha hetuesve të Kongresit se këtë vit ajo ishte pezulluar për 14 ditë pa pagesë, pasi kishte protestuar nëpërmjet kanaleve të brendshme për mënyrën se si ishin dhënë certifikatat e sigurisë dhe tani dhe tani ishte e shqetësuar që do të kthehej përsëri në punë, pas bërjes publike të çështjes.

"Jam e tmerruar të kthehem," tha ajo. "E di që kjo nuk do të perceptohet në favor të synimeve të mia, që janë rikthimi i integritetit në vendin ku punoj.”

Por zonja Newbold tha se kishte vendosur të bëhej informatore, sepse "nuk do ta ndihmoja, veten, vendin, ose fëmijët e mi, nëse rrija duarkryq, duke e ditur se çështjet që kemi mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare".

Memorandumi i ligjvënësit Cummings mbi deklaratat e zonjës Newbold nuk identifikon asnjë nga zyrtarët që u është dhënë certifikatë sigurie në kundërshtim me rekomandimet. Por komisioni tha se po shqyrton certifikatat e sigurisë të lëshuara për vajzën e zotit Trump, Ivanka dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, të cilët janë që të dy këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë si dhe për këshilltarin e sigurimit kombëtar John Bolton.

Disa njoftime në fillim të këtij viti thanë se Presidenti Trump kishte ndërhyrë personalisht vitin e kaluar për të anuluar vendimin e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë, John Kelly, që të mos i jepej certifikatë sigurie zotit Kushner, një veprim që e shqetësoi shumë zotin Kelly.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi çështjen e certifikatave të sigurisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG