Lidhje

Pompeo: Zbulimi amerikan ishte i qartë mbi rrezikun që paraqiste Soleimani


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i doli në mbrojtje me vendosmëri vendimit për të sulmuar e vrarë gjeneralin iranian Qasem Soleimani, por ai nuk pranoi të ofrojë publikisht ndonjë provë që mbështet pretendimin amerikan se gjenerali iranian paraqiste një kërcënim të afërt për forcat amerikane e zyrtarët në Lindjen e Mesme.

Zoti Pompeo tha për rrjetin televiziv ABC se zyrtarë të lartë që kishin qasje në informacionet e zbulimit përpara sulmit ndaj Soleimanit nuk kishin "asnjë dyshim” mbi domosdoshmërinë e vrasjes së tij.

"Vlerësimi i shërbimeve të zbulimit e bëri të qartë se mungesa e një veprimi, që do t’i lejonte Soleimanit të vazhdonte me komplotet dhe planet e tij apo fushatat terroriste, do të krijonte më shumë rrezik sesa veprimi që ne morëm javën e kaluar", tha diplomati i lartë amerikan. "Ne ulëm rrezikun", shtoi ai.

Por zoti Pompeo disa herë nuk pranoi të ofrojë prova rreth kërcënimit që SHBA besonte se paraqiste Soleimani.

"Ka gjëra që nuk mund t'i bëjmë publike", tha zoti Pompeo për rrjetin televiziv Fox News. "Duhet të mbrojmë burimet që na ofrojnë informacione".

Gjatë një interviste për CNN-in, zoti Pompeo tha që zyrtarët amerikanë do të vazhdojnë të publikojnë informacione në lidhje me sulmin amerikan me dron, por "duke mbrojtur burimet dhe metodat e zbulimit dhe atë çka është më e rëndësishmja, aftësinë amerikane për të kuptuar në vazhdim se çfarë kërcënimesh paraqiten. Ne nuk do të donim kurrë të rrezikonim aftësitë tona për të mbledhur informacione".

“Lufta” e kërcënimeve mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas vrasjes së Soleimanit nuk u shua.

Gjatë një postimi në twitter të shtunën Presidenti amerikan Donald Trump shkruante se: "janë identifikuar 52 objekte iraniane, disa prej të cilave tejet të rëndësishme përfshirë edhe objekte kulturore iraniane" që SHBA-ja do t'i godiste shumë shpejt e me shumë forcë nëse Irani do të sulmonte personelin apo objekte amerikane në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Soleimani".

Numri 52, përfaqëson pengjet amerikane të marra nga Irani në vitin 1979 të cilët u mbajtën peng për 444 ditë.

Sipas konventave të Gjenevës që përcaktojnë kufizimet ligjore për luftë, sulmi ndaj objekteve kulturore të një vendi tjetër është një krim lufte. Por zoti Pompeo, i cili nuk e kritikoi komentin në Twitter të Presidentit Trump tha për ABC-në se:

"Ne (SHBA) do të veprojmë sipas ligjit e brenda sistemit. Çdo objektiv që godasim do të jetë një objektiv i ligjshëm dhe veprimet do të hartohet me një mision të vetëm, atë të mbrojtjes së popullit Amerikan".

Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei ka berë të ditur se "hakmarrja e Teheranit do të jetë e ashpër”. Këshilltari i tij i lartë ushtarak, gjeneral brigade Hossein Dehghan tha për rrjetin CNN se "me siguri përgjigja do të jetë ushtarake dhe kundër objekteve ushtarake".

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit Abbas Mousavi tha në një konferencë për shtyp se "Irani nuk po kërkon luftë, por është gati për çdo situatë". Ai tha se vendimi përfundimtar mbi përgjigjen e Teheranit pas vrasjes së Soleimanit do të merret nga "udhëheqja e vendit".

Abbas Mousavi shtoi se Irani do të përpiqet për një përgjigje që do ta bëjë siç u shpreh ai "armikut të pendohet për vrasjen e Soleimanit, por jo ta çojë kombin iranian në luftë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG