Lidhje

SHBA: Bisedimet për buxhetin ende të bllokuara


Presidenti Barak Obama dhe republikanët në Kongres duket se vazhdojnë të jenë të ndarë në bisedimet për të shmangur katastrofën fiskale për shkurtimin automatik të shpenzimeve qeveritare prej 600 miliardë dollarësh dhe për ngritjen e taksave. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon se faktor në debat ishin edhe shifrat më të fundit për vendet e punës në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa ditët për arritjen e një kompromisi janë të numëruara, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bojner, akuzoi hapur Shtëpinë e Bardhë se po humbet kohë dhe qëllimisht po e shtyn ekonominë më pranë rënies.

Ai tha se Presidenti Obama nuk i është përgjegjur ofertës së javës së kaluar të republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për 800 miliardë dollarë më shumë të ardhura nga taksat, gjysma e shumës prej 1.6 trilionë dollarësh që ka ofruar administrata si pikënisje të negociatave tri javë më parë.

"Njoftimet tregojnë se Presidenti po ndjek qëllimisht një strategji për të çuar dalngadalë ekonominë tonë të buzë të greminës. Në vend që të reformojë kodin e taksave dhe të shkurtojë shpenzimet, presidenti do që t’i ngrejë taksat. Por edhe nëse ai do të arrinte të ngrinte taksat që do, ne do të vazhdonim të përballeshim me deficitin prej triliona dollarësh për një kohë të pacaktuar”.

Bojner e përshkroi bisedën e fundit telefonike me zotin Obama si të kënaqëshme, por të të njejtës formë dhe e akuzoi presidentin se po mban qendrim të prerë në mbrojtje të alternativës së tij.

Presidenti Obama këmbëngul që shkurtimet e taksave që janë bërë gjatë administratër së presidentit Bush të vazhdojnë edhe më tej për ata që kanë të ardhura nën 250 mijë dollarë në vit, por ai është i vendosur që amerikanët e pasur duhet të paguajnë më shumë për të mbështetur uljen e deficitit.

Një çështje kyç në diskutim është një nivel i caktuar nën atë të periudhës së presidentit Klinton për të individët me të ardhurat më të larta që do të caktohej me kompromis.

Nënpresidenit Xho Bajden tha se Shtëpia e Bardhë do t’i përgjigjet “çdo oferte serioze” dhe se mbajtja e taksave të ulta për shtresën e mesme duhet të shikohet si çështje e ndarë nga niveli i taksave për të pasurit.

"Mos mbani peng ndihmën për shtresën e mesme, sepse ju këmbëngulni se 120 mijë familje do të paguajnë 500 miliardë dollatë taksa më pak gjatë 10 vjetëve të ardhshëm”.

Ekonomistët paralajmërojnë se mosarritja e një kompromisi do të ngadalësojë ekonominë amerikae me fillimin e vitit të ri. Shpresa është që të hidhen hapa për t’i hapur rrugën negociatave më të gjera për deficitin dhe buxhetin në vitin 2013.
XS
SM
MD
LG