Lidhje

SHBA, Kavanaugh në hapin e fundit të konfirmimit


Brett Kavanaugh, kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë amerikane është në hapin e fundit të përpjekjeve për t’u konfirmuar në këtë post.

Përpara votimit përfundimtar të parashikuar për të shtunën, senatorët mbajtën të premten një votim procedural, për t’i dhënë fund në thelb debatit që ka përshkuar procesin e konfirmimit të gjyqtarit Kavanaugh në Senat.

Votimi që rezultoi me 51 vota pro dhe 49 kundër, e avancon konfirmimin në votimin përfundimtar nesër në Senatin e plotë.

Konfirmimi i gjyqtarit Brett Kavanaugh është në fakt në hapin e fundit dhe republikanët e senatit duket se i kanë numrat për votimin përfundimatra të së shtunës edhe pse një senatore republikane është ende e pavendosur.

Gjatë një tubimi mbrëmë në Minesota, Presidenti Trump la të kuptohet se demokratët do të paguajnë një çmim për kundërshtimin që i bënë kandidaturës së zotit Kavanaugh:

"Mjafton të shikoni sondazhet gjatë tre apo katër ditëve të fundit, të cilat tregojnë se rezistenca e tyre, pasojë e zemërimit që kanë, po fillon t’u vijë si bumerang në një nivel që askush nuk e ka vërejtur ndonjëherë më parë", tha Presidenti.

Procesi i konfirmimit të zotit Kavanaugh u zvarrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj tij nga tre gra për sjellje të pahijshme seksuale. FBI-ja bëri një hetim, por raporti i saj për të parë nëse akuzat kanë patur ndonjë bazë është pritur me reagime kryesisht në linja partiake.

Nëse zoti Kavanaugh konfirmohet, ai do të zëvendësonte gjyqtarin Anthony Kennedy, i cili doli në pension si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Një tjetër ish anëtar i kësaj gjykate John Paul Stevens, fillimisht ishte mbështetës i zotit Kavanaugh, por tani thotë se kandidati nuk e meriton të jetë në Gjykatën e Lartë.

John Paul Stevens i tha një audience pensionistësh në Boca Raton të shtetit Florida, se nuk mendon që Kavanaugh ka temperamentin e duhur për këtë punë, duke përmendur tonin agresiv që kandidati përdori kur po pyetej nga senatorët, gjatë dëshmisë rreth akuzave për sjellje të pahijshme seksuale.

Në Shtetet e Bashkuara Gjykata e Lartë shihet si një institucion mjaft i respektuar dhe me rëndësi të madhe kombëtare pasi ajo merr vendime në interpretim të Kushtetutës që mund të kenë ndikime për një brez të tërë amerikanësh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG