Lidhje

Partneriteti akademik SHBA-Kinë dhe fati i një profesori


Në Kinë kolegjet dhe universitetet po zgjerohen, duke krijuar filiale për të tërhequr studentë të rinj. Në muajin gusht, Wellesley College (Uells-lli), një kolegj vajzash në shtetin Massachusetts, nënshkroi partneritetin me Universitetin e Pekinit por tani profesorët po shprehin shqetësime për presionin politik që po ushtrohet ndaj simotrës së tyre kineze.

Xia Yeliang (Sja Je Liang) është profesor i ekonomisë në Universitetin e Pekinit në Kinë. Nëpërmjet leksioneve në klasë dhe në blloget në Ineternet, ai është bërë një nga mbrojtësit më të njohur të ndryshimeve politike në Kinë.

“Nuk mund të duroj dot më . Mendoj se prapambetja është shumë e turpshme. Kina duhet të bëjë ndryshime thelbësore institucionale për të vendosur demokracinë kushtetuese dhe shtetin ligjor. Besoj që në të ardhmen të gjithë shtetasit duhet të kenë të drejtat e pavarësisë dhe liri individuale”.

Këto pikëpamje mund t’i kushtojnë atij vendin e punës. Në javët e ardhëshme, Universiteti i Pekinit, institucioni më prestigjioz i arsimit të lartë në Kinë, do të votojë nëse do ta pushojë atë.

Universiteti nuk po i përgjigjet pyetjeve nëse pozita e profesorit është në rrezik. Gazeta zyrtare kineze Global Times botoi një artikull redaksional që vë në diskutim përgatitjen e tij si profesor, duke e etiketuar atë si “liberal ekstremist”.
Xia thotë se problemet që ai ndesh janë pjesë e një presioni më të gjerë ndaj lirisë së shprehjes nën presidentin e ri të Kinës, Xi Jinping.

“Po merren masa edhe më të ashpra ndj intelektualëve, madje edhe ndaj biznesmenëve, për këdo që ngre zërin. Ata kanë ndërmarrë një fushatë të përqendruar gjatë muajve të fundit, ata kanë arrestuar shumë njerëz”.

Debati për të ardhem e profesorit Xia bëhet vetëm disa muaj pasi Kolegji Wellesley njoftoi një partneritet akademik me Universitetin e Pekinit, gjatë një konference në Pekin, ku folën diplomantë të famshëm të tij, si ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

Tani ky partneritet po kritikohet nga rreth 40 përqind e personelit mësimdhënës. 130 profesorë të Wellesley-it kanë nënshkruar një letër, ku kërkohet rishikimi i partneritetit me Universitetin e Pekinit, nëqoftëse Xia pushohet nga puna.
William Joseph është profesor i Shkencave Politike që jep mësim kryesisht për politikën dhe idelogjinë e Kinës në Wellesley dhe është një nga autorët e letrës.

“Unë kam qënë i angazhuar me këtë regjim për më shumë se 40 vjet dhe jam i gatshëm të zbatoj rregullat. Por kur është fjala për raste të veçanta, si në rastin e Xia-s, mendoj se kemi të bëjmë me shkelje të hapur të lirisë akademike dhe ushtrim diktature në Kinë. Prandaj e ndjeva se nuk më mbetej rrugë tjetër veçe të mbaa qëndrim”.

Presidentja e Kolegjit Wellesley, H. Kim Bottomly, iu përgjegj kësaj situate me një deklaratë në të cilën thuhet se trupi mësimor i universitetit do të rishqyrtojë marrëdhëniet me Universitetin e Pekinit nëse profesor Xia pushohet.

Partneriteti akademik me këtë universitet vjen në një kohë kur në Kinë është shtuar kontrolli ndaj individëve që janë shquar për shprehjen hapur të pikëpamjeve të tyre.
Në fillim të këtij viti, autoritetet bënë publike ndëshkimet e reja ndaj përdoruesve të Internetit, të cilët publikojnë informacion “fyes”. Human Rights Watch njofton se mbi 55 aktivistë janë ndaluar arbitrarisht në Kinë që nga muaji shkurt. Profesori i Wellesley-it, William Joseph, thotë se rasti i Xia është pjesë e kësaj fushate.
Xia është profesori i dytë këtë vit që thotë se po ndëshkohet për pikëpamjet e tij politike. Zhang Xuezhong (Xhang Sye Xhung), lektor në Universitetin e Kinës Lindore në degën e Shkencave Politike dhe Ligjit në Shangai, thotë se ai u pezullua sepse shkroi një artikull, në të cilin u bënte thirrje anëtarëve të Partisë Komuniste që të vepronin në përputhje me kushtetutën. Zhang tregon se zyrtarët e universitetit i thanë se artikulli i tij ishte “jo kushtetues” dhe se shkelte rregullat e universitetit.
Xia është i shqetësuar se fakti që ai është shprehur hapur, mund të sjellë burgosjen e tij dhe e shoqja i është lutur që të ndalë aktivitetin.

“Për mua, nëse nuk ka njeri që të jetë në vijën e parë të frontit, nuk do të ketë të tjerë që t'i pasojnë. Unë dëshiroj të jem në vijën e parë. Gjithmonë duhet të jetë dikush që të ngrejë zërin. Natyrisht që çdokush ka grua, ka familje. Nëse duam t’i ndryshojmë institucionet, dikush duhet të sakrifikojë dhe të japë një farë kontributi”.

Universiteti i Pekinit pritej të votonte në fund të shtatorit për fatin e Xia-s. Profesori thotë se nuk është njoftuar se kur do të votohet dhe se vota mund të jetë shtyrë për më vonë.
XS
SM
MD
LG