Lidhje

SHBA, kontrollet ndaj Giulianit, reagon ish-Presidenti Trump


Rudy Giuliani
Rudy Giuliani

Ish Presidenti Donald Trump është vënë në mbrojtje të Rudy Giulianit, avokatit të tij personal, pasi hetuesit federalë ekzekutuan të mërkurën urdhra kontrolli në rezidencën dhe zyrën e zotit Giuliani në Manhatan. Në një intervistë të enjten në televizionin Fox Business, ish-Presidenti Trump e quajti zotin Giuliani "një patriot të madh".

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut ka qenë nën hetim prej disa vitesh për marrëdhëniet e tij të biznesit në Ukrainë.

Zoti Giuliani akuzoi autoritetet federale për "standard të dyfishtë të korruptuar" në një deklaratë të lëshuar përmes avokatit të tij.

Gjatë kontrolleve, agjentët federalë sekuestruan kompjuterë dhe celularë, hap që shënon një përshkallëzim në hetimet e Departamentit të Drejtësisë lidhur me marrëdhëniet e biznesit të zotit Giuliani.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, dikur i vlerësuar për rolin udhëheqës pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, ka qenë nën vëzhgimin federal prej disa vjetësh për lidhjet e tij me Ukrainën. Kontrollet e dyfishta janë sinjali më i fortë deri tani se ai mund të përballet me akuza federale.

Agjentët kontrolluan apartamentin e zotit Giuliani në Madison Avenue dhe zyrën e tij në Avenue Park, thanë njerëz që kishin dijeni për hetimin.

Mandatet e kontrollit, të cilat kërkojnë miratim në nivelet më të larta të Departamentit të Drejtësisë, nënkuptojnë se prokurorët besojnë se kanë arsye të mundshme që Giuliani të ketë kryer një krim federal, megjithëse nuk garantojnë se akuzat do të materializohen.

Një urdhër i tretë kontrolli ishte lëshuar për një telefon që i përkiste avokates Victoria Toensing, ish-prokurore federale dhe aleate e ngushtë e zotit Giuliani dhe e ish-Presidentit Trump. Firma e saj juridike lëshoi një deklaratë ku thuhej se ajo ishte informuar se nuk ishte objekt hetimi.

Përmasat e plota të hetimit janë të paqarta, por çështja të paktën pjesërisht përfshin marrëdhëniet e zotit Giuliani në Ukrainë, thanë zyrtarët ligjzbatues për Associated Press.

Në një deklaratë të lëshuar përmes avokatit të tij, Giuliani akuzoi autoritetet federale për një "standard të dyfishtë të korruptuar", duke përsëritur akuzat e tij kundër disa demokratëve të njohur. Ai tha se Departamenti i Drejtësisë po shkel vrazhdë “të drejtat kushtetuese të çdokujt që ka lidhje ose që mbron ligjërisht ish-Presidentin Donald J. Trump".

"Zoti Giuliani respekton ligjin dhe ai mund të demonstrojë se sjellja e tij si avokat dhe si qytetar ka qenë absolutisht e ligjshme dhe etike," thuhej në deklaratë.

Ish-Presidenti Trump i tha televizionit Fox Business të enjten se Giuliani ishte "kryebashkiaku më i shkëlqyer në historinë e Nju Jorkut" dhe "një patriot i madh".

"Është shumë, shumë e padrejtë," tha ai për atë që ndodhi të mërkurën. "Rudi e do kaq shumë këtë vend, është kaq e tmerrshme kur sheh gjërat që po ndodhin në vendin tonë me korrupsionin, e megjithatë ata i qepen Rudy Giulianit," tha ai.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të enjten në CNN se Shtëpisë së Bardhë nuk ishte dhënë asnjë indicie se do të kishte një kontroll të tillë. Departamenti i Drejtësisë, tha ajo, "është i pavarur tani. Ata i marrin vetë vendimet, veprojnë vetë. Kështu e dëshiron presidenti."

Bernie Kerik, i cili ka qenë komisioner i policisë së Nju Jorkut në kohën e sulmeve të 11 shtatorit dhe njihet si mik i vjetër i zotit Giuliani, tha se ish-kryebashkiaku e kishte marrë në telefon kur agjentët po i kontrollonin shtëpinë të mërkurën në mëngjes. Zoti Kerik, i cili u fal nga ish-Presidenti Trump për veprat e tij penale për të cilat ishte dënuar me tre vjet burg, nuk pranoi të përshkruante reagimin e mikut të tij, por shprehu alarm për bastisjen, duke thënë se agjentët "nuk duhet të kishin shkuar fare atje.”

"Mendoj se është jashtëzakonisht shqetësuese," tha ai.

Djali i zotit Giuliani, Andrew Giuliani, u tha gazetarëve se bastisjet ishin "të neveritshme" dhe "absolutisht absurde".

Hetimi federal rreth marrëdhënieve të Giulianit me Ukrainën u bllokua vitin e kaluar për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi taktikat hetimore ndërsa zoti Trump përpiqej pa sukses për një mandat të dytë. Giuliani më pas mori rol drejtues në kontestimin e rezultateve të zgjedhjeve në emër të republikanit Trump.

Bastisjet e së mërkurës erdhën disa muaj pas largimit të zotit Trump nga Shtëpia e Bardhë, i cili humbi kështu kompetencën për të falur aleatët për krime federale. Vetë ish-presidenti nuk i gëzon më mbrojtjet ligjore që Zyra Ovale i siguronte dikur - megjithëse nuk ka asnjë shenjë që ish-Presidenti të jetë në shënjestër të këtij hetimi.

Shumë njerëz të orbitës së zotit Trump janë përfshirë në hetimet e mëparshme federale, duke përfshirë hetimin e ndërmarrë nga prokurori i posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s.

Disa, si ish-gjenerali Michael Flynn, Roger Stone dhe Paul Manafort, u falën. U fol se për Giulianin do të kishte një falje paraprake, por kjo nuk u materializua.

Zoti Giuliani luajti rol të dorës së parë në përpjekjet e presidentit të atëhershëm për të njollosur rivalin demokrat Joe Biden dhe për t’i bërë presion Ukrainës që ajo të hapte një hetim kundër zotit Biden dhe djalit të tij, Hunter, i cili aktualisht përballet me një hetim penal për çështje taksash nga Departamenti i Drejtësisë.

Zoti Giuliani gjithashtu u përpoq të minonte ish ambasadoren amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch, e cila u hoq nga posti me urdhër të zotit Trump. Giuliani u takua disa herë me një ligjvënës ukrainas i cili publikoi regjistrime të redaktuara me zërin e zotit Biden, në një përpjekje për t’i njollosur imazhin para zgjedhjeve.

Avokati i Giulianit, Robert Costello, tha se urdhërat për kontrollin e banesës dhe të zyrës përfshinin një pretendim se zoti Giuliani nuk ishte regjistruar si agjent i huaj. Avokati tha gjithashtu se në dokument përmendej komentatori i televizionit Fox News, John Solomon, mik i ngushtë i zotit Giuliani, i cili hodhi në publik akuza të pabazuara ose të pavërtetuara në lidhje me Ukrainën dhe zotin Biden gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG