Lidhje

SHBA ndjek me vemendje veprimet e Koresë së Veriut


Komandanti i forcave të Shteteve të Bashkuara në Paqësor, admirali Samuel Locklear, thotë se luftanijet amerikane po lëvizin për të ndjekur hedhjen e një rakete nga Koreja e Veriut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Luis Ramirez na informon.

Koreja e Veriut njoftoi javën e kaluar se ka në plan të tentojë përsëri për lëshimin e një rakete me rreze të gjatë veprimi, megjithë paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për të mos e ndërmarrë një hap të tillë.

Ushtria amerikane tha se ka në plan ta ndjeki hedhjen nga afër. Komandanti i forcave të Shteteve të Bashkuara në Paqësor, admirali Samuel Locklear, u tha gazetarëve në Pentagon dje se një munër anijesh të paisura me sisteme raketash balistike janë dislokuar për të ndjekur raketën.

“E gjithë kjo së pari bëhet që ne të kuptojmë se çfarë po ndodh. Së dyti, do të thosha se ne do të mësonim nëse ata po shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe se çfarë rakete është ajo? Cili është qëllimi i saj? Ku drejtohet? Kë kërcënon? Ku shkojnë pjesët e saj nëse ajo nuk mbërrin në destinacionin e caktuar? Si dhe cilat janë pasojat e këtij veprimi?”

Koreja e Veriut lëshoi një raketë në muajin prill, por ajo shpërtheu mbi det pak pas hedhjes.
Feniani thotë se po zhvillon teknologjinë e raketave për qëllime paqësore dhe se raketat i duhen që të jetë në gjendje të lëshojë satelitë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Koreja e Jugut dhe vende të tjera në rajon janë të shqetësuara se Veriu mund të synojë përdorimin e raketave për t’i përdorur për të hedhur bomba bërthamore.

Admirali Locklear diskutoi edhe ribalancimin e forcave në rajonin e Azi-Paqësorit, një pjesë kyç e strategjisë së re të mbrojtjes që Presidenti Barak Obama e paraqiti vitin e kaluar. Plani parashikon që shumica e mjeteve të marinës amerikane të vendosen në Paqësor, duke ndryshuar kështu fokusin nga Lindja e Mesme në rajonin e Azi- Paqësorit.

Administrata Obama thotë se ribalancimi i forcave në Paqësor nuk është një përpjekje për të penguar Kinën dhe shtrirjen e ndikimit të saj në rajon.
XS
SM
MD
LG