Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, një grup organizatash po bën thirrje për vëmendje ndaj sfidave me të cilat përballen gazetarët në Shtetet e Bashkuara.
Raporti i këtyre organizatave nxjerr në pah kërcënimet e shumta me të cilat përballen gazetarët gjatë punës së tyre, ndër to një rritje të numrit të proceseve penale kundër informatorëve, kufizime që ka vënë qeveria mbi informimin e publikut, stigmatizimi nga politikanët, sulme fizike dhe arrestime arbitrare.
Drejtori ekzekutiv i organizatës “Neni 19”, Thomas Hughes, thotë se “duhet t’i kundërvihemi rritjes alarmuese të kërcënimeve ndaj lirisë së shtypit gjatë viteve të fundit në SHBA. Këto rreziqe jo vetëm që ndikojnë tek liria e shprehjes në Amerikë, por kanë pasoja në mbarë botën”.
Për të intervistuar gazetarë amerikanë, organizata “Neni 19” bashkoi forcat me organizata si “Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve”, “Shkëmbimet për Lirinë Ndërkombëtare të Shprehjes”, “Institutin Ndërkombëtar të Shtypit”, “Indeksin për Çensurën”, si dhe “Gazetarët pa Kufij”.
Raporti i tyre thotë se pavarësisht nga rreziqet aktuale, mbrojtja që ofron kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i bën mediat amerikane ndër mediat me më shumë liri në botë. Raporti megjithatë vëren rastet kur deklaratat e Presidentit Donald Trump për ato që i ka quajtur “lajme të rreme”, janë imituar nga udhëheqës të tjerë, si Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, si dhe udhëheqësja de facto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi.
Shefja ekzekutive e organizatës “Indeksi i Çensurës”, Jodie Ginsberg, thotë se “presioni me të cilin përballen gazetarët në SHBA reflekton atmosferën toksike që po krijojnë udhëheqësit botërorë për gazetarët. Armiqësia ndaj shtypit po dëmton të drejtën e publikut për informim”.
Raporti vëren se rritja e hetimeve penale për informatorët që nxjerrin në pah shkelje e abuzime, filloi gjatë mandatit të Presidentit Barack Obama, si dhe shpreh shqetësim rreth qëndrimit të administratës Trump për mundësinë e gazetarëve që të mbrojnë burimet e tyre. Raporti gjithashtu fajëson Presidentin Trump për sulmet verbale ndaj mediave, duke konkluduar se ato kanë inkurajuar politikanë të tjerë që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Në raport shkruhet se “duke sulmuar haptazi dhe me agresivitet gazetarët dhe grupet mediatike, administrata e tanishme amerikane rrezikon të dëmtojë lirinë e medias dhe të krijojë një kulturë ku gazetarët gjenden të pambrojtur”.
Organizata “Gazetarët Pa Kufij” shprehu shqetësime të ngjashme në raportin e saj vjetor, ku Shtetet e Bashkuara ranë dy vende më poshtë në klasifikimin për lirinë e medias.
Shtëpia e Bardhë refuzoi kritikat dhe Sekretarja e Shtypit, Sarah Huckabee Sanders, deklaroi se ajo mendon që administrata Trump është “ndër më të hapurat” e dekadave të fundit.
Zonja Sanders tha se “ne mbështesim një media të lirë, por edhe të drejtë. Mendoj se këto duhet të ecin paralelisht dhe shtypi ka përgjegjësinë e tij për të dhënë informacione të sakta”.
Kombet e Bashkuara përcaktuan për herë të parë në vitin 1993, Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, si një mënyrë për të inkurajuar lirinë e mëtejshme të shtypit, si dhe për të nxjerrë në pah mënyrat se si organizatat mediatike “çensurohen, gjobiten, pezullohen dhe mbyllen”, ndërkohë që gazetarët përballen me përndjekje, sulme, ndalime dhe vrasje.
Organizata “Gazetarët pa Kufij” thotë se gjatë këtij viti 23 gazetarë janë vrarë dhe 176 të tjerë janë burgosur në mbarë botën.
Facebook Forum