Lidhje

SHBA: Lobizmi, një aktivitet që i nënshtrohet rregullave të forta


Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan dhe Senati krijojnë ligje të cilat shndërohen në politika dhe rregulla që duhen zbatuar. Pikërisht me këtë ka të bëjë edhe termi “lobizëm”. Lobizmi është praktika e përpjekjes për të ndikuar tek rezultati i ligjeve në Kongres dhe vendimeve që merren nga Dega Ekzekutive.

Ekzistojnë ligje, të cilat rregullojnë lobizmin, si dhe rregullat etike për anëtarët e Kongresit dhe administrates. Profesori Mark Rom i Universitetit Xhorxhtown, flet për të ashtuquajtura “gardhe”, apo pengesa, të cilat përcaktojnë kufijtë e lobizimit. Ai thotë:

“Ne gjithmonë i vemë në prove këta kufij, dhe ndjekim zbatimin e rregullave që kanë të bëjnë me to. Ja ku qëndron problemi: të japësh para për të realizuar diçka, kjo është e paligjshme. Të bisedosh me dikë që të arrish rezultat në zgjidhjen e një problemi, kjo nuk është e paligjshme. Por ka shumë mënyra, sipas të cilave në procesin politik përdoren paratë, gjë që i bën këta kufij të vështirë për t’u përcaktuar me saktësi. Dhe në këtë rast kufijtë janë gjithmonë të hapur për t’u debatuar”.

Mediat dhe grupet monitoruese të qytetarëve po ashtu ndjekin me kujdes mënyrën e kryerjes së lobizimit. Një prej këtyre vëzhguesve është Ken Vogel, i gazetës Politico në Washington, i cili thotë:

“Për shumicën e rasteve, lobistët dhe lobizmi veprojnë sipas rregullave të përcaktuara. Ata duhet të raportojnë me saktësi se sa para kanë shpenzuar për tipe të ndryshme lobizmi: për reklamat dhe kontributet në fushata. Ky aktivitet ndiqet me shumë kujdes, si nga ne, shtypi, edhe nga grupet e etikës në Uashington, që në se shohin një aktivitet të dyshimtë, si shitja e një ligji, apo e ndikimit në Kongres, ata ndërhyjnë menjëherë. Në një rast të tillë, ky lloj aktiviteti mund t’i shkatërrojë zyrtarët publikë që janë përfshirë në këtë aktivitet”.

Një aktivitet i kësaj natyre mund t’i çojë deri në burg anëtarët e Kongresit. Kongresmeni Randy “Duke” Cunningham, nga San Diego i Kalifornisë, u dënua me më tepër se 8 vjet për komplot në marrje rryshfeti dhe disa akuza të tjera. Ai kërkoi favore nga një kontraktor i mbrojtjes, përfshi një jaht luksoz.

Një tjetër kongresmen, Bon Ney, nga shteti i Ohios, u dënua me 30 muaj burg, për korrupsion, lidhur me lobistin Jack Abramoff. Në shkëmbim për favoret e tij, zoti Abramoff e mori Bob Ney-in në një udhëtim për të luajtur golf në Skoci dhe arriti të kontrollojë kontributet e fushatave për të.

Lobizimi ka të bëjë edhe me çështje etike, hyrja e vendimmarrësve në rradhët e lobistëve dhe e kundërta. Kritikët e quajnë këtë një “derë që rrotullohet”, e cila i lejon ish-ligjvënësit dhe vendimmarrësit qeveritarë që të kenë ndikim të veçantë tek ligjet dhe rregullat.

Me të vërtetë, një studim i ri i gazetës Washington Post arrin në përfundimin se 3 nga 4 lobistë të industrisë së naftës dhe gazit, punonin më pare në qeverinë federale, shumë prej tyre në pozita rregullatore.

Lobisti Nicholas Allard i firmës Patton Boggs flet për praktikën e ndryshimit të vendeve të punës mes zyrtarëve qeveritarë dhe lobistëve. Ai thotë:

“Çështja që ka lidhje me këtë është, se kur dikush largohet nga qeveria, shtrohet pyetja “A ka konflikt interesi dhe a përfitojnë ata më pas nga posti që kanë patur në qeveri?” Ana tjetër, është se kur dikush fillon të punojë në qeveri, pasi ka punuar në sektorin privat, për shembull si lobist, duhet shtruar pyetja “Cili është motivi?” dhe “A ka të bëjë ai me përfitime private?”. Siç u shpreh partneri ynë në Patton Boggs, John Breaux, ish senator, kur e kritikuan përse la Senatin për t’u bërë një lobist shumë i suksesshëm, ai tha “Kini parasysh faktin që unë kam punuar për qeverinë gjatë gjithë jetës. Çfarë prisni nga unë, të jem thjesht një mekanizëm automatik?”

Në fjalimin e tij drejtuar popullit amerikan këtë vit, Presidenti Obama tha se “Ne nuk i kemi përfshirë lobistët në poste që kanë të bëjnë me formulimin e politikave, apo në komisionet e bordeve federale”. Pavarësisht nga kjo, disa lobistë janë duke punuar në administratën e presidentit Obama, në bazë të disa përjashtimeve të urdhërit të Presidentit.

XS
SM
MD
LG