Lidhje

SHBA, luftë kundër martesave në moshë të mitur


Për shumë njerëz dita e martesës është diçka për të cilën ata kanë ëndërruar që të vegjël. Por për qindra e mijëra vajza të reja në Shtetet e Bashkuara vetëm mendimi për këtë ditë u sjell ankth dhe kjo për shkak të problemit të kahershëm, atë të martesës së tyre në moshë të mitur.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anush Avetisyan sjell më shumë hollësi mbi përmasën e këtij fenomeni në SHBA.

“E tradhëtuar nga familja e saj”, kështu i përshkruan 15 vitet e martesës me shkuesi Fraidy Reiss, e cila u rrit në një komunitet ortodoks hebre në Bruklin të qytetit të Nju Jorkut.

Pasi dështoi në përpjekjet e saj për t’u divorcuar dhe pas diplomimit megjithë shanset e pakta, Fraidy Reiss dhe dy vajzat e saj dhe u larguan nga shtëpia.

“Familja dhe komuniteti ku unë jetoja vazhdojnë të më konsiderojnë të vdekur edhe tani pas dhjetë vitesh”, thotë ajo.

Situata e saj e shndëroi Fraidy Reiss në një aktiviste të vendosur për të luftuar kundër martesave të detyruara të fëmijëve. Ajo themeloi në Nju Xhersi organizatën joqeveritare “Unchained At Last” me qëllimin për të ndihmuar viktimat e martesave në moshë të mitur.

Prej vitit 2011, më shumë se 550 persona kanë arritur t’u shpëtojnë martesa të tilla falë punës së saj. Përpjekjet e Fraidy Reiss-it në vitin 2018 bënë që Nju Xhersi të bëhet një nga dy shtetet amerikane që e ndalon me ligj martesën nën moshën 18 vjeç.

“Është tronditëse. Kur nisa punën si aktiviste, martesa poshtë moshës 18 vjeç ishte të ligjshme në të 50 shtetet. Mosha 18 vjeçare është e rëndësishme sepse para kësaj moshe nuk gëzon të drejat që nevojiten për të mbrojtur veten nga një martesë e detyruar”, thotë ajo.

Në shumicën e shteteve amerikane lejohet martesa në moshën 16 vjeçare, në dy prej tyre martesa është e lejueshme që në moshën 14 vjeç dhe në 13 shtete të tjera nuk ka fare një përcaktim ligjor rreth moshës për lidhje në martesë.

Shteti Aidahos ka shkallën më të lartë në vend të martesave që fëmijëve, me më shumë se 400 mijë të tilla mes viteve 2000 dhe 2010.

Demokratja Melissa Wintrow dështoi këtë vit në përpjekjet për të rritur moshën minimale në 16 vjeç.

Duke patur parasyshë historinë dhe natyrën konservatore të këtij shteti propozova një kompromis të arsyeshëm, moshën 16 vjeçare që ligjërisht pranohet si mosha për marrëdhënie intime. Sipas rregullave thuhet se një fëmijë mund të martohet me pëlqimin e gjykatës “nëse është në interesin më të mirë të shoqërisë”. Ky tregues është pasqyrim i vlerave të prapambetura”.

Në vitin 2019 Luiziana e rriti moshën minimale të martesës në 16 vjeç dhe vendosi që diferenca në moshë mes bashkëshortëve të mos jetë më shumë se tre vjet, kur njëri është nën moshë. Forumi i familjeve të Luizianës ishte mes atyre që kundërshtuan ndryshimin.

“Ne e vlerësojmë martesën dhe besojmë se është një institucion i rendësishëm që qëndron në themelet e vendit, kulturës dhe shoqërisë sonë. Siguron dhe ndihmon në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Debati për moshën minimale të martesës mori një kthesë të errët që duket se denigron martesën”, thotë Kathleen Benfield e Forumit të Familjeve të Luizianës.

Ligjvënësit dhe aktivistët kundër martesës së fëmijëve thonë se problemi është më i thellë sesa një debat mbi familjen.

“Po të shohësh demografinë e fëmijëve që martohen ata janë të bardhë, nga klasa e mesme. Ky është problemi ynë dhe është rrënjosur thellë në historinë e seksizmit në vendin tonë. Është e qartë që është shkelje e të drejtave të njeriut pasi ka hulumtime rreth zhvillimit të trurit ku thuhet se fëmijët nuk janë të gatshëm të marrin vendime të qëndrueshme për jetën dhe të ardhmen e tyre”, thotë ligjvënësja Wintrow.

Për aktivisten Fraidy Reiss nuk duhet venë fare në diskutim nëse duhet ndaluar me ligj martesa e fëmijëve, kjo pasi siç thotë ajo qeveria amerikane dënon tradita të tilla që egzistojnë në vende të tjera, duke i quajtur shkelje të drejtave të njeriut.

Sipas të dhënave të mbledhura nga organizata “Unchained At Last”, më shumë se 250 mijë fëmijë janë martuar mes viteve 2000 dhe 2010, ku shumica e tyre janë vajza nën moshë të martuara me burra të moshuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG