Lidhje

Trump pritet të ndryshojë rregullat mjedisore


Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se presidenti Donald Trump do të nënshkruajë të martën urdhëra ekzekutive për të ndryshuar rregulloret për mjedisin të firmosura gjatë administratës së ish presidentit Obama.

Kjo pritet të rindezë debatin shumë të ngarkuar mes palëve, mbi ndikimin që ka aktiviteti njerëzor tek klima. Kjo përplasje po thellon shqetësimet se dekada të tëra përpjekjesh për arritjen e traktateve ndërkombtare mund të zhbëhen.

"Shumë janë dakord se do të ketë pasoja shkatërrimtare", i tha në një intervistë telefonike “Zërit të Amerikës” fituesi i çmimit Nobel, holandezi Paul Crutzen. "Gjithshka që është arritur mund të shkatërrohet, mendoj do të lërë të pakënaqur shumë shkencëtarë", tha zoti Crutzen, i cili fitoi çmimin Nobel në vitit 1995 për punën e tij për shpjegimin e faktorëve që çojnë në hollimin e shtresës së ozonit.

Presidenti Trump ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur se është kundër politikës së paraardhësi i tij për klimën. Gjatë fushatës ai e quajti planin e ish presidentit Obama për energji të pastër si “jo të mënçur", kryesisht për shkak se sipas tij rregulloret çojnë në “mbyllje të vendeve të punës”.

Urdhërat ekzekutivë, që pritet të nënshkruhen të marten, udhëzojnë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të rishokojë gjithë rregullat e përcaktuara në Planin e Energjisë të Pastër.

Propozimi për buxhetit i zotit Trump për 2018 ul fondet për Agjensinë e Mbrojtjes së Mjedisit me 31 për qind, duke përfshirë një shkurtim pothuajse të plotë të fondeve për kërkime në këtë fushë. Drejtori i Buxhetit, Mick Mulvaney tha në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se "për kërkimet nuk do të shpenzohen më fonde".

NDIKIMI NDËRKOMBËTAR

Është i paqartë qëndrimi i presidentit ndaj marrëveshje ndërkombëtare siç është ajo e Parisit e vitit 2015, nënshkruar nga zoti Obama.

Shefi i Agjensisë së Mbrojtjes së Mjedisit Scott Pruitt, gjatë një interviste të dielën për rrjetin televiziv ABC, e quajti traktatin e Parisit një "marrëveshje të dobët".

Ka informacione se variantet fillestare të urdhrave ekzekutivë përmbanin një gjuhë kritike ndaj marrëveshjes Parisit. Disa media njoftuan se dy prej njerëzve besnikë të presidentit, vajza e tij Ivanka si dhe Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, ish shefi i gjigantit të energjisë globale ExxonMobil, ndërhynë që marrëveshja e Parisit të mos jetë në tekstin përfundimtar të urdhrave ekzekutivë.

Zoti Pruitt tha të dielën se procesi i rishikimit të Planit për Energji të Pastër synon të lirojë nga zinxhirët industrinë amerikane. "Kjo bëhet që të kemi një qasje pro-rritjes dhe pro-mjedisit në mënyrën sesi i bëjmë rregulloret në këtë vend," tha ai.

NJË ÇËSHTJE E NXEHTË

Detajet e shpërndara jo zyrtarisht të urdhrave ekzekutivë kanë ndezur pakënaqësi mes shkencëtarëve.

Sipas Tim Barnett, shkencëtar në fushën e kërkimeve gjeofizike, në Institutin e Oqeanografisë në Kaliforni, i njohur si mbështetësi i presidentit Trump, do të ishte e "paarsyeshme" përmbysja e rregullave të planit për energji të pastër.

"Ngrohja globale nuk është një çështje demokrate apo republikane", thotë ai. "Nëse shihni atë që po ndodh në Arktik dhe Antarktidë, lëshimi i dioksid karbonit në atmosferë, po e bën përmbajtjen e oqeaneve më shumë acide. Mendohet se nga gjysma e vitit 2040 një prej ushqimeve bazë të peshqve, planktoni, do të jetë nën stress”.

Në Uashington pikëpamjet mbi ndryshimin e klimës në përgjithësi ndahen sipas linjave partiake. Me republikanët që kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dy dhomat e Kongresit, pikëpamjet e skeptikëve të klimës, të ndrydhura në masë të madhe gjatë viteve të aministratës Obama, tashmë do të gjejnë terren për të vepruar.

Shefi i Agjensisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Pruitt ishte i njohur për proceset e shumta ligjore që ka hapur ndaj rregulloreve të agjensisë, kur ai ishte avokat i përgjithshëm i Oklahomës. Në biografinë e tij zyrtare madje shkruhet se ai është: "një nga kundërshtarët kryesorë kundër axhendës së Agjensisë së Mbrojtjes së Mjedisit "

XS
SM
MD
LG