Lidhje

SHBA në situatë të përmirësuar ndërsa rriten vaksinimet dhe bien vdekjet


Njerëzit presin në radhë për të marrë vaksinën Pfizer në qendrën komunitare Gateway World Christian Center në Valley Stream, Nju Jork

Pas më shumë se tre muajsh vaksinimesh në Shtetet e Bashkuara, shumë prej statistikave paraqesin një pamje gjithnjë e më inkurajuese. 70% e amerikanëve mbi 65 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe mesatarja e vdekjeve nga COVID-19 ka rënë për herë të parë që nga muaji nëntor në nivelin nën 1000 në ditë.

Gjithashtu, dhjetëra shtete kanë nisur vaksinimin për të gjithë të rriturit, ose po planifikojnë të veprojnë kështu brenda disa javësh. Shtëpia e Bardhë tha se 27 milionë doza vaksinave të llojit me një injeksion dhe ato me dy injeksione që do të shpërndahen javën e ardhshme, më shumë se trefishi i numrit që nga momenti kur Presidenti Joe Biden mori detyrën dy muaj më parë.

Megjithatë, Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i qeverisë për sëmundjet infektive, tha të mërkurën se nuk është ende gati të deklarojë se vendi ka marrë kthesën për sa i përket pandemisë.

Dr. Anthony Fauci
Dr. Anthony Fauci


"Gjendemi në prag. Nëse ne do ta marrim kthesën apo jo, mbetet për t'u parë", tha ai në një konferencë të Shtëpisë së Bardhë.

Perspektiva në Shtetet e Bashkuara është në kontrast të plotë me përkeqësimin e situatës në vende si Brazili, i cili raportoi më shumë se 3000 vdekje nga COVID-19 në një ditë të vetme për herë të parë të martën, si dhe në të gjithë Evropën, ku një tjetër valë infeksionesh po çon në masa të reja izolimi dhe kur përhapja e vaksinave në kontinent është ngadalësuar nga vonesat në prodhim dhe nga pikëpyetjet në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca.

Në të njëjtën kohë, ekspertët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë në çdo rast se relaksimi i masave të distancimit fizik dhe masave të tjera mund të shkaktojnë lehtësisht një rritje të re të rasteve.

Dr. Eric Topol, kreu i institutit kërkimor Scripps, vëren shenja paralajmëruese në shtetet që heqin udhëzimet për mbajtjen e maskave, udhëtimet ajrore që po shtohen dhe turmat e festave pranverore që dalin jashtë kontrollit në Florida.

"Po i afrohemi daljes", tha zoti Topol. "Ajo që po bëjmë duke u rihapur është se po rrezikojmë shansin që kemi për t'i dhënë fund për herë të parë pandemisë amerikane, dhe që të vendosim virusin nën kontroll".

Në të gjithë vendin ka shenja të pagabueshme të progresit.

Më shumë se 43% e amerikanëve 65 vjeç e lart - grupmosha më e prekshme, që përbën një pjesë të madhe të më shumë se 540'000 vdekjeve nga koronavirusi në vend - janë vaksinuar plotësisht, sipas CDC-së. Vaksinimet në përgjithësi janë shtuar deri në rreth 2.5 milionë në ditë.

Vdekjet në ditë në Shtetet e Bashkuara nga COVID-19 kanë rënë në një mesatare prej 940, pra më poshtë se rekordi prej 3400 në mesin e muajit janar.

Zyrtarët e shëndetësisë të shtetit Minesota të hënën nuk raportuan asnjë vdekje të re nga COVID-19 për herë të parë në gati një vit. Dhe në Nju Orleans, spitali Touro Infirmary nuk po trajtonte asnjë rast të vetëm për herë të parë që nga marsi i vitit 2020.

Dr. Rochelle Walensky
Dr. Rochelle Walensky

“Këto vaksina funksionojnë. E shohim këtë tek të dhënat”, tha këtë javë Dr. Rochelle Walensky, drejtore e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Në mbarë vendin, rastet e reja dhe numri i njerëzve të shtruar në spital me COVID-19 kanë rënë gjatë dy muajve të fundit, megjithëse zyrtarët amerikanë të shëndetësisë shprehën shqetësimin se kjo rënie duket se ka ngecur në dy javët e fundit. Rastet e reja po zhvillohen me më shumë se 53'000 në ditë mesatarisht, nga një rekord prej një çerek milioni në fillim të janarit.

Dr. Fauci tha se numri i rasteve të reja qëndron me kokëfortësi i lartë dhe në mënyrë shqetësuese pranë niveleve të vërejtura gjatë valës së COVID-19ës verën e kaluar.

Ndër zhvillimet pozitive, dr. Fauci nënvizoi studimet e fundit që tregojnë nivele të papërfillshme të infeksionit me koronavirus mes njerëzve që janë plotësisht të vaksinuar. Gjithashtu, numri i njerëzve mbi 65 vjeç që shkojnë në dhomën e urgjencës me COVID-19 ka rënë ndjeshëm.

Presidenti Biden ka kërkuar që shtetet t'i hapin vaksinimet për të gjithë të rriturit deri më 1 maj. Të paktën gjashtë shtete, ndër ta Teksasi, Arizona dhe Xhorxhia, po i bëjnë vaksinat të disponueshme për të gjithë personat mbi 16 vjeç. Të paktën 20 shtete të tjerë janë zotuar të veprojnë kështu në javët e ardhshme.

Kompania Microsoft, e cila punëson më shumë se 50'000 njerëz në selinë e saj globale në periferi të qytetit Seattle, ka thënë se do të fillojë të rikthejë punonjësit në punë më 29 mars dhe do të rihapë objektet që janë mbyllur prej gati një viti.

80'000 punonjës bashkiakë të qytetit të Nju Jorkut, të cilët kanë punuar në distancë gjatë pandemisë, do të kthehen në zyrat e tyre duke filluar nga 3 maji.

Ekspertët shohin shumë arsye për t'u shqetësuar.

Numri i udhëtarëve të përditshëm në aeroportet amerikane ka kaluar vazhdimisht mbi 1 milion gjatë pushimit pranveror prej një jave e gjysmë në shumë kolegje.

Gjithashtu, një numër shtetesh si Miçigani po shohin raste në rritje. Dhe tendencat e favorshme në rënie në disa nga shtetet më të populluara po fshehin një rritje të numrit të rasteve në ato më të vogla, tha Ali Mokdad, profesor i shkencave të matjeve të shëndetësisë në Universitetin e Uashingtonit në Seattle.

Ai tha se varianti më ngjitës që e pati origjinën në Britani, tani është identifikuar në pothuajse çdo shtet amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG