Lidhje

Izraeli dhe Hamasi bien dakord për armëpushim


Gaza
Gaza

Izraeli dhe Hamasi do të ndërpresin luftimet mes tyre duke filluar nga ora 2 e mëngjesit të ditës së premte, tha një zyrtar i Hamasit dhe media izraelite.

Kabineti i sigurisë i Izraelit tha se kishte votuar njëzëri në favor të një armëpushimi "të ndërsjellë dhe të pakushtëzuar" për Gazën të propozuar nga Egjipti.

Armëpushimi do të sillte një ndalim të mundshëm të luftimeve, më të ashprat në disa dekada.

Njoftimet vijnë një ditë pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden i bëri thirrje Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të përpiqej për uljen e tensioneve, ndërkohë që ka patur oferta për ndërmjetësim nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se kishte folur të enjten në telefon me Ministrin e Jashtëm izraelit Gabi Ashkenazi dhe kishte përsëritur mesazhin se Shtetet e Bashkuara presin të shohin një "ulje të tensioneve në rrugën drejt një armëpushimi" midis Izraelit dhe palestinezëve.

Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë Reuters se armëpushimi do të ishte "i ndërsjellë dhe i njëkohshëm".

Media izraelite njoftoi se kabineti i sigurisë i Kryeministrit Benjamin Netanyahu e miratoi armëpushimin në bazë të asaj që një zyrtar thuhet se e quajti "qetësi në këmbim të qetësisë".

Sulmet me raketa nga Hamasi dhe aleati i tij Xhihadi Islamik rifilluan pas një pauze tetë orëshe të enjten, ndërsa Izraeli vazhdoi bombardimet që tha se kishin për qëllim shkatërrimin e aftësive ushtarake të Hamasit dhe për të parandaluar një konfrontim të ardhshëm pas konfliktit aktual.

Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thonë se që nga fillime i luftimeve më 10 maj, 232 palestinezë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, janë vrarë dhe më shumë se 1,900 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite. Izraeli ka thënë se ka vrarë të paktën 160 luftëtarë në Gaza.

Sipas zyrtarëve izraelitë, 12 vetë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve me raketa nga Hamasi dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Të enjten, Presidenti Biden diskutoi mbi situatën në Gaza me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe Shtëpia e Bardhë tha se lëvizjet drejt një armëpushimi ishin "inkurajuese".

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric konfirmoi se i dërguari i OKB-së për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland ndodhet në Katar, duke shtuar se "Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive me të gjitha palët përkatëse për një armëpushim të menjëhershëm."

Shtëpia e Bardhë: njoftime inkurajuese

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se njoftimet për një lëvizje drejt armëpushimit në konfliktin izraelito-palestinez janë inkurajuese, edhe pse Izraeli ka kërcënuar se do të shtojë sulmet ndaj Gazës dhe Hamasi rifilloi hedhjen e raketave pas një ndërprerje.

Përpjekjet diplomatike për një armëpushim u shtuan të enjten pas thirrjes që Presidenti Joe Biden i bëri një ditë më parë Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të ulur tensionet dhe pas deklaratave të zyrtarit politik të Hamasit, Moussa Abu Marzouk, i cili tha se besonte se armëpushimi do të arrihej "brenda një ose dy ditësh".

Një burim egjiptian i sigurisë, vendi i të cilit ka ndërmjetësuar armëpushimet mes palëve, tha se ishte rënë dakord në parim për një ndalim të ndërsjellë të luftimeve por hollësitë ende nuk ishin përpunuar.

"Kemi parë njoftime për një lëvizje drejt një armëpushimi të mundshëm. Kjo është sigurisht inkurajuese," tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki një konferencë të rregullt për gazetarët.

"Ne besojmë se izraelitët kanë arritur objektiva të rëndësishme ushtarake që ata donin të arrinin në lidhje me mbrojtjen e popullit të tyre dhe për t'iu përgjigjur mijëra sulmeve me raketa nga Hamasi", tha zonja Psaki.

"Pra, kjo është pjesërisht arsyeja se përse ne mendojmë që ata janë në pozicionin e duhur për të filluar mbylljen e operacionit të tyre," tha ajo.

Sulmet me raketa ndaj Izraelit u ndalën për tetë orë të enjten, dita e 11-të e konfliktit, por pastaj rifilluan kundër komuniteteve pranë kufirit të Gazës dhe qytetit Beersheba.

Izraeli vazhdoi sulmet ajrore ndaj Gazës që administrohet nga Hamasi, duke deklaruar se synonte të shkatërronte aftësitë e këtij grupi militant islamik që ai të mos niste një konfrontim tjetër në të ardhmen.

Hamasi, i cili shihet nga Perëndimi si organizatë terroriste, nuk ka qenë pjesë e angazhimit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës me Izraelin, gjë që çoi në një marrëveshje të përkohshme paqeje në vitet 1990 dhe vendosjen e vetë-qeverisjes së kufizuar palestineze në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG