Lidhje

Takim për Egjiptin në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Barak Obama zhvilloi një takim me kabinetin e tij të martën si pjesë e rishikimit të vazhdueshëm të ndihmës amerikane për Egjiptin. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po shyrtojnë opsionet për reagimin ndaj shtypjes së dhunshme të protestuesve nga qeveria e përkohshme egjiptiane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest e konfirmoi për gazetarët zhvillimin e takimit por e minimizoi rëndësinë e tij.

"Këto lloje takimesh mbi sigurinë kombëtare nuk janë të pazakonta. Presidenti shpesh i kryeson këto takime dhe jam i sigurt se kjo madje nuk është hera e parë që ata janë mbledhur për këtë çështje. "

Zëdhënësi Earnest mohoi njoftimet e mediave se administrata ka vendosur për të prerë një pjesë ose të gjithë ndihmën amerikane për Egjiptin. Ai tha se Shtëpia e Bardhë është duke vazhduar rishikimin e politikës së saj ndaj Egjiptit.

"Rishikimi i ndihmës ndaj Egjiptit që është kërkuar nga presidenti në fillim të korrikut nuk ka përfunduar. Prandaj njoftimet nga mediat që sugjerojnë të kundërtën, se ndihma amerikane për Egjiptin është ndërprerë, nuk janë të sakta."

Procesi i rishikimit të ndihmave i Shtëpisë së Bardhë filloi pasi ushtria egjiptiane, e udhëhequr nga gjenerali Abdel Fatah al-Sisi, rrëzoi presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi.

Zoti Morsi vazhdon të jetë në paraburgim, dhe gati një mijë njerëz kanë humbur jetën në ditët e fundit, ndërkohë që qeveria e përkohshme ushtarake ka vënë në shënjestër protestuesit islamikë.

Shtetet e Bashkuara i japin Egjiptit reth 1.5 miliardë dollarë në vit dhe rreth 1.3 miliardë e këtyre ndihmave shfrytëzohet për qëllime ushtarake.

Takimi i Shtëpisë së Bardhë u organizua disa orë pasi një ndihmës i senatorit amerikan Patrick Leahy kishte thënë se nënkomisioni i Senatit që drejtohet nga Senatori Leahy ishte informuar se "ndihma ushtarake për Egjiptin ishte ndërprerë."

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest dhe zëdhënësit Departamentit të Shtetit dhe të Pentagonit e kanë mohuar lajmin se ndihma ushtarake për Egjiptin ishte ndërprerë.

Administrata e presidentit Obama po përpiqet të gjejë një mënyrë për të shprehur kundërshtimin e saj për dhunën në Egjipt pa humbur ndikimin mëtejshëm mbi udhëheqësit e këtij vendit.

Nëse Shtetet e Bashkuara pezullojnë ndihmën për Egjiptin, Arabia Saudite dhe fqinjët e tjerë arabë kanë premtuar se do të mbushin boshllëkun.
XS
SM
MD
LG