Lidhje

Muaji shtator, vendimtar për Obamacare


Ligjvënësit amerikanë kthehen pas disa ditësh në Uashington dhe brenda datës 1 tetor duhet të vendosin se si të vazhdojnë financimin e qeverisë federale. Një grup republikanësh po kërcënon se do të detyrojë mbylljen e qeverisë, nëse Kongresi nuk refuzon fondet për ligjin e reformës së kujdesit shëndetësor. Ky ligj i njohur si Akti i Kujdesit të Përballueshëm përbën reformën kryesore të propozuar nga Presidenti demokrat Barak Obama.

Presidenti Barak Obama e dekretoi reformën e kujdesit shëndetësor në ligj në vitin 2010, por beteja mbi zbatimin e saj vazhdon. Grupe pro dhe kundër ligjit financojnë reklama televizive me shpresën për të fituar mbështetjen e publikut.

Disa republikanë po i kërkojnë Kongresit të heqë fondet për ligjin e kujdesit shëndetësor si pjesë e një marrëveshjeje për një rinovim të përgjithshëm të shpenzimeve qeveritare në tetor. Një ndër ta është senatori nga Teksasi Ted Cruz.

"Është diçka që nuk po funksionon. Po dëmton kujdesin shëndetësor dhe tani është mundësia për ta kundërshtuar ligjin, nëse populli amerikan ngrihet dhe vë zyrtarët para përgjegjësisë."

Me zotin Cruz bashkohet dhe senatori nga Florida Marco Rubio. Të dy ata konsiderohen si konkurrues të mundshëm presidencialë në vitin 2016.

"Nuk mendoj se mund të thuash se je kundër ligjit Obamacare nëse voton një buxhet që e financon atë."

Dhoma e Përfaqësuesve, me shumicë republikane, ka votuar disa herë për heqjen e fondeve për ligjin e kujdesit shëndetësor.
Por këto përpjekje janë bllokuar nga Senati i kontrolluar nga demokratët dhe Presidenti do t’i vinte veton.

"Ideja që dikush do të mbyllë qeverinë nëse nuk i hiqet 30 milionë njerëzve mundësia për të patur kujdes shëndetësor është një ide e keqe."

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve janë gjithashtu duke luftuar idenë e mosfinancimit të ligjit, duke përfshirë udhëheqësen e tyre, Nancy Pelosi.

"Ata janë kaotikë dhe mendoj se po i përkeqësojnë gjërat për popullin amerikan, në vend që ta zgjidhim këtë çështje."
Edhe disa republikanë me ndikim i kundërshtojnë përpjekjet për heqjen e fondeve, por kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner mbetet i vendosur.

"Jam i bindur se do të vërejmë se mund të jetë një proces i ndërlikuar, por mendoj se do ta gjejmë një zgjidhje."

Përpjekjet për mosfinancimin e ligjit Obamacare po nxiten nga republikanët konservatorë dhe mbështetësit e grupit Tea Party, thotë analisti David Hawkings.

"Republikanët konservatorë dhe republikanët e Tea Party-it kanë pritur për një betejë që kur erdhën këtu në vitin 2011. Dhe ka ende një numër të konsiderueshëm republikanësh, sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët e presin me padurim një përplasje të tillë dhe mendojnë se do ta fitojnë."

Strategu politik republikan Ford O'Connell është ndër ata që paralajmërojnë republikanët të mos detyrojnë mbylljen e qeverisë.
"Është një strategji shumë e rrezikshme, e cila mund t’i dëmtojë republikanët në një kohë tepër të rëndësishme, ndërkohë që ata janë duke u përpjekur të ndryshojnë perceptimin dhe imazhin e tyre për të fituar zgjedhjet në vitin 2014, në mënyrë që të shtohen në numër dhe që të mund të qeverisin në Kongres."

Republikanë të vjetër shqetësohen se meqënëse ata u fajësuan për mbylljet e qeverisë në vitet 1990 gjatë përballjeve buxhetore me ish-presidentin Bill Clinton, kjo mund të ndodh sërish nëse do të shkohet në një përplasje mbi ligjin e kujdesit shëndetësor.
XS
SM
MD
LG