Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë thirrjet për ndryshime në Egjipt pas rreth një javë demonstratash masive, kaosi dhe dhune që ka përfshirë një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në botën arabe. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Majkëll Bouman na sjell hollësi.
Për ditë me radhë zyrtarët amerikanë kanë ritheksuar politikën e Shteteve të Bashkuara për reforma politike në Egjipt. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton e shprehu edhe një herë atë, por më drejtpërdrejt.
"Ne duam të shikojnë kalimin në demokraci. Ne duam të shikojmë marrjen e atyre masave që do ta sillnin këtë”.
Sekretarja Klinton foli në programin e kanalit televiziv Fox, Fox News Sunday. Ajo nuk bëri thirrje për dorëheqjen e Presidentit Hosni Mubarak, por duket se sugjeroi se struktura e tanishme politike dhe ekonomike e Egjiptit nuk është rezultative.
"Stabiliteti i vërtetë mbështetet në demokraci, pjesëmarrje dhe mundësi ekonomike. Dhe e gjithë kjo ka të bëjë pikërisht me kalimin nga stadi i tanishëm i popullit egjiptian tek ai ku ai dëshëron dhe meriton të jetë”.
Me intensifikimin e thirrjeve për ndryshime, sekretarja Klinton paralajmëroi përsëri kundër anarkisë dhe radikalizmit.
"Mendoj se askush nuk do të shikojë instabilitet, kaos dhe shtimin e dhunës. Po ashtu, ne nuk duam të shikojmë marrjen e pushtetit nga elementë që nuk do ta çonin vendin drejt demokracisë, por në një rregjim shtypës që do t’u jepte fund aspiratave të popullit egjiptian”.
Ndërkaq, ambasadori i Egjiptit në Uashington, Sameh Shukri, pranoi se vendi i tij është “duke kaluar kohë të vështira”, siç u shpreh ai në programin e kalanit televiziv amerikan ABC, This Week. Ai theksoi se Egjipti kishte hyrë në rrugën e reformave para se të fillonin protestat.
"Lira e shprehjes ka qënë e garantuar. Egjipti ka qënë në rrugën drejt reformave ekonomike, politike dhe demokratike gjatë më shumë se 20 vjetësh dhe ka shënuar suksese të mëdha në atë drejtim”.
Analistët thonë se gjendja shpërthyese dhe e paparashikuar në Egjipt përbën sfida reale për diplomacinë amerikane. Reva Balla është analiste në firmën Stratfor në Shtetet e Bashkura që merret me analiza gjeopolitike.
"Shtetet e Bashkuara duhet të luajnë një lojë politike shumë kujdesëshme këtu. Veçanërisht kjo administratë është shumë e preokupuar rreth imazhit të Shteteve të Bashkuara në rajon”.
Balla thotë se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara po bëjë presion për ndryshime në Egjipt dhe në të njejtën kohë shpresojnë për një rezultat që nuk do ta destabilizonte Egjiptin apo Lindjen e Mesme në tërësi. Ajo thotë se ushtria egjiptiane do të ushtrojë më shumë kontroll dhe influencë në ditët e ardhëshme dhe mendon se ditët e Hosni Mubarakut si president mund të jenë të numëruara.
"Emri i Mubarakut është tani justifikimi jo vetëm për aleatët e Egjiptit, por edhe vetë ushtrinë. Mendoj se është bërë shumë e qartë se opozita kundër Mubarakut është thelbi i këtyre demonstratave. Ushtria po i jep Mubarakut kohën që i duhet për të negociuar largimin nga pushteti. Nuk mendoj se qendrimi i tij në pushtet është një opcion i themeltë”.
Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje shtetasve amerikanë të largohen nga Egjipti dhe shumë vende u rekomandojnë qytetarëve të tyre që të mos udhëtojnë në Egjipt, ndërkohë që ligji në vend po bie gjithnjë e më tepër.