Lidhje

SHBA, polemika mbi akreditimin e gazetarit Jim Acosta


Disa media të mëdha amerikane njoftuan se do të mbështesin përpjekjet ligjore të rrjetit CNN që Shtëpia e Bardhë t’i rikthejë gazetarit Jim Acosta akreditimin. Mes organizatave të lajmeve që mbështesin CNN-in është edhe rrjeti rival me të FOX News.

"Lejet që Shërbimi Sekret u jep gazetarëve për të punuar në Shtëpinë e Bardhë nuk duhen të kthehen në armë," tha në një deklaratë presidenti i FOX News, Jay Wallace. "Ndërkohë që ne nuk e tolerojmë tonin antagonist në rritje nga ana e Presidentit dhe shtypit, ne mbështesin një shtyp të lirë, qasje dhe shkëmbime të hapura për popullin amerikan," shkruan ai.

Një koalicion mediash, përfshirë Bloomberg, USA Today, Associated Press dhe të tjerë njoftuan në një deklaratë të përbashkët se do të paraqesin në gjykatë informacione që mbështesin padinë e ngritur nga CNN-i kundër Shtëisë së Bardhë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, e ka hedhur poshtë padinë si "një akt arrogance nga ana e CNN", duke thënë se administrata i qëndron vendimit të saj për heqjen e akreditimit të gazetarit Acosta.

Në një deklaratë të martën, zonja Sanders tha: “Pasi z. Acosta i bëri Presidentit dy pyetje – të cilave Presidenti iu përgjigj - gazetari fizikisht refuzoi t’ia dorëzonte mikrofonin e Shtëpisë së Bardhë një praktikanteje, në mënyrë që edhe gazetarët e tjerë të mund të bënin pyetje. Nuk është hera e parë që ky gazetar ka refuzuar në mënyrë të papërshtatshme për t'u dhënë shans gazetarëve të tjerë."

Administrata Trump javën e kaluar pezulloi "akreditimin" e Acostës, që e lejonte gazetarin të kishte akses në Shtëpinë e Bardhë. Pezullimi erdhi pasi gazetari sfidoi përshkrimin që zoti Trump i bëri një karvani emigrantësh të Amerikës Qendrore, duke e quajtur "pushtim".

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë akuzuar gjithashtu Acostën se "vendosi duart" mbi një ndihmëse shtypi të Shtëpisë së Bardhë, e cila u përpoq t’i merrte mikrofonin. Por videot tregojnë se Acosta nuk u tregua agresiv ndaj saj.

Megjithatë, deklarata e së martës e zonjës Sanders nuk e përmendte akuzën e mëparshme të Shtëpisë së Bardhë se gazetari Acosta kishte venë duart mbi praktikanten.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG