Lidhje

SHBA-Poloni, marrëveshje për sigurinë e rrjeteve 5G


Shtetet e Bashkuara dhe Polonia mund të nënshkruajnë një marrëveshje që synon të sigurojë rrjetet 5G kur zëvendës Presidenti Mike Pence të vizitojë Varshavën ditët e ardhshme, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Njëri prej synimeve të marrëveshjes do të ishte mbrojtja e rrjeteve nga hyrjet e paautorizuara dhe nga furnizuesit e pajisjeve të telekomunikacionit që kontrollohen nga "vende kundërshtare", tha zyrtari, i cili nuk përmendi ndonjë vend me emër.

"Po ndërmerren disa hapa me rëndësi, disa prej të cilave mund t’i njoftojmë brenda pak ditëve, për të zhvilluar një qasje të përbashkët për sigurinë e rrjetit 5G midis dy vendeve tona", tha zyrtari.

Shtetet e Bashkuara janë në krye të një fushate globale për të bindur aleatët të ndalojnë hyrjen në rrjetet 5G të firmës kineze Huawei Technologies, furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit.

Qeveria amerikane thotë se kompania është në gjendje të përgjojë klientët, ka shkelur sanksionet ndaj Iranit dhe ka vjedhur pronën intelektuale amerikane. Duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare, Uashingtoni e futi këtë firmë në një listë të zezë, gjë që në thelb ndalon kompanitë amerikane t’i shesin asaj pa patur leje të veçantë. Huawei i ka mohuar akuzat.

Zoti Pence do të shkojë në Poloni në vend të Presidentit Donald Trump, i cili anuloi papritmas planet e tij të udhëtimit për të siguruar se qeveria federale do të jetë e përgatitur për uraganin që po i afrohet Floridës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG