Lidhje

SHBA – Poloni, ministerial për Lindjen e Mesme


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo duke u mirëpritur në Bahrein

Duke patur në vëmendje Iranin, Shtetet e Bashkuara dhe Polonia do të organizojnë një ministerial për të nxitur paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. Takimi ndërkombëtar do të mbahet në Varshavë, në datat 13 dhe 14 shkurt.

Ministeriali do të trajtojë një sërë çështjesh përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, zhvillimin dhe përhapjen e raketave, tregtinë dhe sigurinë detare, si dhe kërcënimet nga grupime të treta në mbarë rajonin”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i tha kanalit Fox News se takimi do të “përqëndrohet në stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme, në lirinë dhe sigurinë, si dhe tek elementi i rëndësishëm që të sigurohemi se Irani nuk do të jetë një influencë destabilizuese”.

Kryediplomati amerikan mbërriti të premten në Manama, të Bahreinit, për t’u takuar me Mbretin Hamad bin Isa Al Khalifa dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Shtetet e Bashkuara e kanë lavdëruar Bahreinin si një “mbështetës të vendosur” në zmbrapsjen e përpjekjeve keqdashëse të Iranit, ndaj përpjekjeve të Iranit për të shmangur sanksionet, si edhe për të luftuar aktivitetin e paligjshëm detar.

Bahreini ishte ndalesa e parë e zotit Pompeo në gjashtë vendet anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC). Sot, Departamenti i Shtetit tha se GCC-ja “është thelbësore në përballjen me rrezikun parësor ndaj stabilitetit rajonal – regjimin iranian”.

Nga Bahreini, zoti Pompeo udhëtoi drejt Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pjesë e turit të tij janë edhe Katari, Arabia Saudite, Omani dhe Kuvajti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG