Lidhje

SHBA publikon foto të reja, fajëson Iranin për sulmet ndaj cisternave


Pentagoni publikoi fotografi që thotë se janë prova të reja se ishte pikërisht Irani që sulmoi dy cisterna të huaja nafte në Gjirin e Omanit javën e kaluar.

Fotografitë tregojnë atë që sipas SHBA-së janë forcat Revolucionare Iraniane duke hequr një minë të pashpërthyer nga anija me pronësi japoneze, “Kokuka Courageous”. Një tjetër fotografi tregon vendin ku ishte vendosur mina.

​Foto të tjera tregojnë një vrimë të madhe në anije që Pentagoni thotë se ishte shkaktuar nga një minë.

Shtetet e Bashkuara thonë se Irani është përgjegjës për sulmin bazuar në provat video si dhe në burimet apo ekspertizën që nevojiten për heqjen me shpejtësi të minave të pashpërthyera.

Deri tani, Irani nuk ka reaguar për fotografitë e reja, por ka mohuar se ka gisht në sulmet ndaj cisternave, duke i quajtur pretendimet "qesharake" dhe "të rrezikshme".

Të hënën pasdite, Sekretari amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan njoftoi dërgimin e rreth 1,000 trupave të tjera në Lindjen e Mesme për "qëllime mbrojtëse", siç u shpreh ai:

"E theksova më herët nevojën për të zhvilluar konsensus ndërkombëtar. Po të shihni situatën - një anije norvegjeze, një japoneze, Mbretëria Saudite, Emiratet e Bashkuara, 15% e naftës së botës kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit… Prandaj duhet të kemi plane rezervë nëse situata keqësohet, por duhet gjithashtu të zgjerojmë mbështetjen tonë në këtë situatë ndërkombëtare”.

Dje, Shtetet e Bashkuara e quajtën "shantazh bërthamor" planin e Iranit për të tejkaluar kufirin e rezervës së tij të uraniumit të pasuruar, një kufi i pranuar me konsensus ndërkombëtar.

"Presidenti Trump e ka bërë të qartë se kurrë nuk do ta lejojë Iranin të zhvillojë armë bërthamore,” tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Ajo tha se Irani duhet të mbahet përgjegjës për "aktivitetet e tij të rrezikshme në rajon", por veprimet amerikane duhet të jenë "të forta, të zgjuara dhe strategjike - jo të papërgjegjshme e të nxituara".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG