Lidhje

Në Qendrën Islame Shqiptare të Detroitit


Një nga qendrat më të mëdha dhe me traditë që bashkon shqiptarët e Amerikës do të ketë së shpejti një hapësirë disa herë më madhe falë donacioneve të anëtarëve të komunitetit. Në ditën e Bajramit, kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Qendrën Islame Shqiptare të Michiganit dhe na njeh me shpresat e këtij komuniteti për të ruajtur traditën dhe identitetin.

Qendra Islame Shqiptare e Detroitit
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:31 0:00

Me rastin e Bajramit, në Qendrën Islame Shqiptare në Harper Woods u mblodhën shumë besimtarë, të cilët uruan njëri tjetrin për mbarësi. Disa kishin kohë pa u parë dhe kjo qendër me rëndesi për komunitetin u jep gëzimin të takohen dhe të shkëmbejnë dy fjalë.

Imami i Qendrës është Shuaib Gërguri:

"Kemi më shumë se 700 familje, të cilat janë të regjistruara në këtë qendër por numri është edhe më i madh sepse çdo vit vijnë familje të reja," thotë Imami.

E veçanta është se për herë të parë Bajrami festohet në një sallë të re, edhe pse ende e pambaruar.

Qendra Islame Shqiptare është përfshirë në një projekt zgjerimi. Punimet vazhdojnë, por kur projekti të ketë mbaruar, komuniteti i këtushëm mysliman shqiptar do të ketë një qendër mbi trefish më të madhe.

Imami na shpjegon se zgjerimi me një kosto prej disa milion dollarësh po realizohet vetëm me ndihmesën e shqiptarëve.

Durim Çulaj sapo dha 2 mijë dollarë.

Safedin Gjilaj, përgjegjës për financat e Qendrës Islame, thotë se njerëzit dhurojnë sipas mundësisë, dikush 50 e 100 dhe të tjerë dy dollarë.

Imami na tregon shembuj të tjerë se si njerëzit nuk ngurrojnë të dhurojnë punën e tyre.

Bledi Shaholli, që ka kompaninë Victor & Sons është njëri prej tyre. Ai thote se po ndihmon për të mirën e komunitetit.

Në këtë projekt të rëndësishëm për të gjithë, Imam Gërguri luan rolin e koordinatorit.

"Eshtë një sakrificë e madhe dhe mua nuk ma merrte mendja që një drejtues fetar të bënte kaq mirë punën e kontraktorit", thotë Bilal Demneri, Kryetar i Këshillit Drejtues të Qendrës Islame.

Vetë zoti Demneri, i cili është Kryetar i Këshillit Drejtues të Qendrës Islame, ka kontribuar në punimet elektrike të projektit të ri.

Ata që kontribuojnë jo domosdo janë anëtarë të Qendrës, madje kontribut kanë dhënë edhe disa të besimit katolik.

Jashtë ndërtesës, emri i qendrës islame është shkruar në anglisht, por brenda saj flitet shqip. Jo vetëm kaq, por mësimi i gjuhës shqipe për shqiptaro-amerikanët e rinj është një traditë e vjetër këtu. Në Qendrën e re të zgjeruar, mësimit të shqipes do t'i jepet një hapësirë më e madhe.

"Hapësira e re, ambienti i ri, jep rast që rinia të afrohet, qoftë nga feja qoftë nga kombi. Se gjuha është adresa e një kombi. Ku njihet një komb? Njihet nga gjuha." thotë Burhan Fili, anëtar i komunitetit të Qendrës Islame.

Pas faljes së Bajramit shkojmë bashkë me Imamin në shtëpinë ku banon Ruzhdi Gurra, sekretar i Këshillit Drejtues të Qendrës Islame.

"Dihet që në kohët e mëparshme diaspora shqiptare ka ardhur e coptuar nga koha, nga regjimi, por xhamia ka shërbyer gjithmonë si pika mbledhëse e shqiptarëve, ku janë njohur me njëri tjetrin, kanë qarë hallet me njëri tjetrin dhe janë martuar një pjesë nëpërmjet xhamisë," thotë zoti Gurra.

Dëshira për ruajtjen e kësaj tradite është tek të gjithë.

"Xhamia shqiptare, me në krye Imam Vehbi Ismailin, ka qenë vatra shqiptare, fetare, atdhetare, ku gjithë shqiparët myslimanë, katolikë - ortodoksë ka patur pak - kanë ardhur këtu. Të gjitha demonstratat për Kosovën në vitet 1980 janë organizuar këtu. Pra xhamia ka qenë ajo që i ka afruar të gjithë," thotë Burhan Fili.

Imam Gërguri ka besim se kjo traditë nuk do të humbë.

"Qëllimi i kësaj Qendre është të jetë një shtëpi shqiptare këtu në Amerikë, ku sejcili pavësisht moshës, gjinisë apo bindjeve të tyre, të kene një vend ku vijnë dhe gjejnë prehje, një vend ku vijnë dhe shoqërohen."

Sidomos, - thotë Imami, - rëndësi e madhe e kësaj ndërtese është për rininë dhe fëmijët, të cilët janë më rrezikuar të humbin gjuhën dhe identitetin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG