Lidhje

SHBA: mbyllja e qeverisë do të vazhdojë edhe në 2019-n 


Qeveria amerikane pritet të mbetet pjesërisht e mbyllur në pjesën më të madhe të kësaj jave, ndoshta edhe më gjatë, ndërsa negociatat mes Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve lidhur me shpenzimet federale, janë bllokuar. Në një kohë kur Uashingtoni është ngërthyer nga mosmarrëveshjet lidhur me kërkesën e Presidentit Donald Trump për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën, një tjetër fëmijë pa dokumente vdiq ndërsa mbahej i ndaluar me një nga prindërit e tij.

Uashingtoni po shkon drejt vitit 2019 me një pjesë të agjencive qeveritare të mbyllura dhe as një shenjë mundësish për negociata për rihapjen e tyre.

"Nuk ka më diskutime...kaq ishte, presim që kjo situatë të vazhdojë për një kohë." thotë Mick Mulvaney, drejtor i zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.

Por këtë të enjte priten disa lëvizje, kur demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

"Jo vetëm që do ta kalojmë me shpejtësi legjislacionin për të rihapur qeverinë, por do të sigurohemi që qeveria të jetë përgjegjëse", thotë ligjvënësi demokrat Joe Neguse.

Paketa e propozimeve të demokratëve lidhur me shpenzimet pritet të rrisë financimin e përgjithshëm për sigurinë kufitare, por nuk përcakton asgjë lidhur me ndërtimin e një muri në kufirin jugor të vendit. Ndërkohë Presidenti Trump vazhdon të rrisë presionin përmes postimeve në Twitter. Ai ka kërcënuar se do të mbyllë plotësisht kufirin jugor nëse demokratët bllokues, siç dhe i cilëson ai, nuk na japin paratë për murin.

Por demokratët nuk po ndryshojnë qëndrim.

"Ky është i njëjti president i cili në mënyrë të përsëritur i premtoi popullit amerikan se Meksika do të paguante për murin që ai planifikon të ndërtojë. Tani ai po përpiqet të nxjerrë 5 miliardë dollarë nga taksapaguesit amerikanë për të paguar për diçka që në mënyrë të qartë, do të ishte joefektive"- thotë ligjvënësi Hakeem Jeffries.

Ndërsa Uashingtoni është përfshirë nga mosmarrëveshjet, vdekja e një fëmije tjetër imigrant, një tetë vjeçari nga Guatemala, ka rikthyer vëmendjen tek agjencia për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare. Felipe Gomez Alonzo besohet të ketë vdekur nga gripi. Ai ishte një nga mijëra fëmijë imigrantësh që mbahen të ndaluar në kufi.

"60 mijë persona kalojnë kufirin çdo muaj, ose 30 mijë familje dhe 5 mijë fëmijë në muaj. Kjo do të thotë se do të kemi me mijëra fëmijë që do të kalojnë përmes sistemit tonë, një sistem i ndërtuar për të rriturit që janë shkelës të ligjit"- thotë Kevin Mcalenan përfaqësues i agjencisë së Doganave dhe Mbrotjes kufitare.

Presidenti Trump fajësoi demokratët për vdekjet në kufi. Në një postim në twitter ai shkruante se nëse do të ekzistonte një mur kufitar, emigrantët pa dokumenta "as që do ta provonin udhëtimin e rrezikshëm drej Shteteve të Bashkuara". Demokratët bënë ironi me këtë argumentim, duke vënë në dukje se shumë emigrantë largohen nga dhuna dhe varfëria ekstreme në vendet e tyre të origjinës dhe se kërkesat e tyre për azil janë të ligjshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG