Lidhje

SHBA, Ratcliffe në postin e drejtorit të ri të inteligjencës kombëtare


Një nga përkrahësit më të zëshëm të Presidentit Donald Trump, u miratua për postin e drejtuesit të komunitetit të zbulimit të Shteteve të Bashkuara, megjithë shqetësimet lidhur me përvojën e tij dhe përçarjen e thellë në votimin e konfirmimit në Senat.

Senati e mbështeti kandidaturën e anëtarit të Kongresit nga Teksas, John Ratcliffe me 49 vota pro dhe 44 kundër, ndarë sipas përkatësisë partiake dhe nën kundërshtimet e ashpra të demokratëve.

Ai zëvendëson ish-drejtorin Dan Coats që dha dorëheqjen gushtin e kaluar.

Kjo ishte hera e dytë që Presidenti Trump e emëronte ligjvënësin konservator për postin e lartë.

Dy javë më parë, gjatë dëshmisë në Senat, John Ratcliffe u premtoi në mënyrë të përsëritur ligjvënësve skeptikë se do të braktiste politikat partiake dhe do t'i ofrojë presidentit dhe hartuesve kryesorë të politikave "të vërtetën e palustruar".

"Ajo çfarë dikush dëshiron të reflektohet në të dhënat e zbulimit nuk do të ndikojë në të dhënat që do të jap unë", u tha republikani nga teksasi kolegëve të tij, për mënyrën se si do të vepronte nëse konfirmohej në detyrën e drejtorit të zbulimit kombëtar.

"E vërteta nuk do të errësohet për askënd", deklaroi ai.

Para votimit të së enjtes, ligjvënësit republikanë thanë se besonin se zoti Ratcliffe do t’i bëjë ballë sfidës.

“Ai do të drejtojë komunitetin e zbulimit që t’i bëjë ballë kërcënimeve nga fuqitë e mëdha, vendet e papërgjegjshme dhe terroristët dhe do të sigurojë që puna e tij të mos preket nga njëanshmëria politike”, tha kreu i shumicës republikane në Kongres, Mitch McConnell.

“Ratcliffe do të ketë pushtet të jashtëzakonshëm për të bërë mirë dhe për të qenë transparent”, shtoi senatori republikan i Ajovas, Chuck Grassley.

Por demokratët në senat e kritikuan zotin Ratcliffe, duke shprehur rezerva se ai do të jetë në gjendje të lërë mënjanë retorikën e tij partiake.

"Posti kërkon dikë me integritet të padiskutueshëm, përvojë të thellë dhe pavarësinë dhe guximin për t’i thënë të vërtetën pushtetin. Për fat të keq, zoti Ratcliffe, as nuk i afrohet atij standardi të lartë”, tha kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Një nga shqetësimet kryesore të demokratëve është se si do të veprojë zoti Ratcliffe ndaj kërcënimeve të mundshme ndaj zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Zyrtarë të lartë të zbulimit, përfshirë ish-Drejtorin e Zbulimit Kombëtar, Dan Coats, kanë paralajmëruar vazhdimisht se Rusia ka synimin të ndërhyjë tek zgjedhjet, ashtu siç bëri në vitin 2016.

Zoti Trump ka kundërshtuar gjithmonë përfundimin e komunitetit të zbulimit se Rusia jo vetëm ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por e bëri një gjë të tillë me objektivin për ta ndihmjar atë të zgjidhej.

Një raport dypartiak i Komisionit të Senatit për Zbulimin muajin e kaluar konfirmoi muajin e kaluar atë gjetje fillestare.

Zoti Ratcliffe tha se nuk mundet të mbështesë plotësisht konkluzionin e komunitetit të zbulimit, duke përmendur një raport të vitit 2018 nga Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve ku ngre pikëpyetje mbi përfundimin se Rusia u përpoq të ndihmojë në fitoren e zotit Trump.

"Nuk jam njohur me të dhënat mbështetëse të zbulimit që të kuptoj përse ka një diferencë opinionesh mes dy komisioneve", tha zoti Ratcliffe.

Të tjerë senatorë demokratë e pyetën zoti Ratcliffe për çështjen e mbrojtjes së informatorëve nga brenda komunitetit të zbulimit. Senatorja Diane Feinstein e akuzoi zotin Ratcliffe se ishte "pjesë e fushatës së Presidentit Trump për të ndëshkuar dhe diskredituar" informatorin e CIA-s, në bazë të ankesës së të cilit u vendos në lëvizje procesi i hetimit për shkarkimit.

"Çështja ime nuk ishte me iformatorin. Çështja ime ishte me atë që e shoh si mungesë e ndjekjes së procesit në hetimin për shkarkimin”, tha zoti Ratcliffe.

“Dua ta bëj shumë të qartë, nëse konfirmohem si Drejtor i Zbulimit Kombëtar, çdo informator do të mbrohet në bazë të ligjit”, tha ai.

Rrugëtimi i 54 vjeçarit Ratcliffe ka qenë i pazakontë.

Një mbështetës i zellshëm i Presidentit Donald Trump, Ligjvënësi Ratcliffe u detyrua fillimisht ta tërheqë emrin e tij nga shqyrtimi në gusht të vitit të kaluar, pasi ligjvënës republikanë dhe demokratë ngritën pikëpyetje rreth pretendimeve se kishte fryrë arritjet e tij kundër terrorizmit, kur kishte qenë prokuror federal.

Të tjerë përmendën mungesën e eksperiencës me agjensitë amerikane të zbulimit, duke vënë në dukje se lidhja e tij më e dukshme ishte si anëtar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, një rol që e pati luajtur për vetëm një vit.

Megjithatë, Presidenti Trump e emëroi zotin Ratcliffe sërish në shkurt, duke e quajtur "një burrë të jashtëzakonshëm me talent të madh!".

Senatori Grassley vlerësoi gjithashtu drejtorin në detyrë të zbulimit, Richard Grenell.

Ambasadori aktual në Gjermani dhe i dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi, Grenell ka shkaktuar indinjatën si të republikanëve dhe demokratëve në Senat dhe të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, sepse ndërmori një sërë reformash pa u konsultuar me ta dhe pa i informuar në kohë.

Këto ndryshime përfshinin reforma për mënyrën se si komuniteti i zbulimit do të raportojë për ndërhyrjet në zgjedhje dhe për të centralizuar operacionet në Qendrën Kombëtare të Kundërterrorizmit.

Ambasadori Grenell të enjten uroi zotin Ratcliffe në Twitter, duke thënë se “do të jetë Drejtori më i mirë ndonjëheri i Zbulimit Kombëtar!”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG