Lidhje

SHBA: Reagime kundër djegies së Kuranit


Qeveria amerikane dhe një numër udhëheqësish fetar kanë dënuar planet e një pastori të krishter në shtetin juglindor të Floridas për djegien e Kuranit në përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara.

Pastori Terry Jones thotë se është ende i vendosur të djegë kopje të Kuranit të shtunën më 11 shtator, megjithë dënimin ndërkombëtar që shkaktuar kjo ide.

“Djegia e Kurani është për të tërhequr vëmendjen se diçka nuk është në rregull. Ka ardhur koha që të ngrihemi dhe të konfrontojmë terrorizmin.”

Vatikani ka thënë se veprimet e 50 anëtarëve të Qendrës Botërore Dove do të jenë revoltuese dhe një gjest acarues. Kardinali Theodore McCarrick ka qënë kryepeshkop në kishën katolike të Uashingtonit.

“Kam frikë se fanatizmi, urrejtja, dhe armiqësia ndaj të tjerëve mund të cilësohet nga disa si qëndrim i vet Amerikës, por kjo nuk është e vërtet.”

Kardinali McCarrick iu bashkua udhëheqësve të feve të tjera në kryeqytetin amerikan duke folur kundër planeve për djegien e Kuranit. Pastori Richard Cizik është pjesëtar i një grupi të krishterë të quajtur Partneriteti i ri Evangjelik për të Mirën e Përbashkët:

“Atyre që përçmojnë, ushtrojnë fanatizëm, dhe hapur hedhin poshtë bashkatdhetarët tanë amerikanë për shkak të besimit të tyre, unë u them “Të keni turp.”

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton bëri këtë koment.

“Ky veprim në asnjë mënyrë nuk përfaqëson Amerikën, amerikanët, qeverinë amerikane, fenë amerikane, apo udhëheqjen politike të vendit.”

Në Afganistan, komandanti i lartë ushtrisë amerikane, gjenerai David Petreas, tha se ekstremistët mund të përdorin djegien e planifikuar të Kuranit për të acaruar opinionin publik dhe për të nxitur dhunë në gjithë botën.

“Ne jemi shumë të shqetësuar rreth pasojave që mund të vijnë nga djegia e Kuranit në Shtetet e Bashkuara. Ky veprim ka të ngjarë t’i vë në rrëzik ushtarët tanë. Ne kemi parë një demonstratë këtu në Kabul, e cila ndodhi pasi u dëgjuan fjalët për djegien e Kuranit në Amerikë.”

Pastori Jones thotë se ai i kupton shqetësimet e gjeneralit. Por thotë:

“Ne nuk do ta anullojmë këtë ngjarje. Kjo i ka shpëtuar syrit të medias por dua të them se kemi marr mbështetje për këtë veprim”.

Zyrtarët e administratës së presidentit Obama thonë se në bazë të kushtetutës pastori Jones dhe pasuesit e tij kanë të drejtë të djegin Kuranin, por qeveria vendore në Florida aty ku ndodhet kisha nuk u kanë dhënë leje për ndezjen e zjarrit.

XS
SM
MD
LG