Lidhje

SHBA, rekord i ri viktimash nga koronavirusi; 3,112 brenda një dite


Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë shtuan përgatitjet për një fushatë historike të vaksinave ndaj koronavirusit përpara miratimit të pritshëm nga agjencia rregullatore federale, ndërsa ligjvënësit në Kongres debatuan të mërkurën për kushtet e një pakete lehtësimi ekonomik nga COVID-19.

Lëvizja e vazhdueshme drejt fillimit të vaksinimit dhe negociatat në Kongres vijnë ndërsa infektimet nga COVID-19 u rritën në nivele edhe më të larta, duke mbingarkuar deri pranë pragut maksimal sistemet e kujdesit shëndetësor në disa pika të nxehta të pandemisë. Sipas një përllogaritjeje të agjencisë së lajmeve Reuters, Shtetet e Bashkuara arritën një nivel të ri rekord viktimash, me të paktën 3,112 të vdekur brenda të mërkurës, më shumë se ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë.

Dhjetë qarqe kryesisht rurale në Kaliforni raportuan se nuk kishin në dispozicion shtretër të njësive të kujdesit intensiv, sipas të dhënave shëndetësore të këtij shteti, të analizuara nga agjencia Reuters.

Në zemrën bujqësore të Kalifornisë, Central Valley, shtrimet nga COVID-19 kanë mbingarkuar krejtësisht disa spitale. Në qarkun Fresno, me 1 milion banorë, vetëm shtatë shtretër mbetën të paplotësuar të mërkurën në njësitë e kujdesit intensiv.

Duke ofruar një rreze të re shprese, disa zyrtarë thanë se vaksinimet mund të fillojnë ndoshta edhe këtë fundjavë dhe shtetet kanë përshkallëzuar planet për atë që ka të ngjarë të jetë një përpjekje për shpërndarjen në dimensione të papara.

Zyrat qendrore të Administratës së Ushqimit dhe Barnave
Zyrat qendrore të Administratës së Ushqimit dhe Barnave

Një panel ekspertësh të pavarur të mjekësisë pritet të takohet të enjten për të vendosur nëse do të rekomandojë që vaksina e prodhuar nga kompania Pfizer Inc dhe kompania partnere gjermane BioNTech SE, duhet të marrë autorizimin e përdorimit emergjent të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Si shenjë se aprovimi mund të vijë shpejt, dokumentet e lëshuara nga FDA të martën në përgatitje të rishikimit nuk ngritën pikëpyetje të reja mbi sigurinë ose efikasitetin e vaksinës Pfizer.

Miratimi i FDA-së mund të vijë të premten ose të shtunën, pasuar nga vaksinimet e para në Shtetet e Bashkuara të dielën ose të hënën, i tha kanalit Fox News të martën Moncef Slaoui, këshilltari kryesor i programit të zhvillimit të vaksinave të administratës Trump.

Numri i pacientëve me COVID të shtruar në të gjithë vendin u rrit në një nivel të ri rekord, prej 105,805 deri të mërkurën vonë, me 18% më shumë se dy javët e mëparshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG