Lidhje

SHBA, raportohen më shumë raste fruthi se kurrë më parë


Një përzierje vaksine kundër fruthit dhe disa sëmundjeve të tjera ngjitëse
Një përzierje vaksine kundër fruthit dhe disa sëmundjeve të tjera ngjitëse

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se janë raportuar deri më tani 971 raste fruthi në Shtetet e Bashkuara. Kjo shifër ia kalon rekordit prej 963 rastesh, të raportuara në vitin 1994.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha të enjten se nëse epidemia në qytetin e Nju Jorkut vazhdon deri në vjeshtë, Shtetet e Bashkuara mund të humbasin statusin e tyre si vend që ka eliminuar fruthin.

"Humbja e këtij statusi do të ishte një goditje e madhe për të gjithë vendin dhe do të fshinte punën e bërë nga të gjitha strukturat e shëndetit publik", thuhet në deklaratën e CDC-së.

Fruthi u deklarua i eliminuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000, dhe CDC-ja thotë se një ndër arsyet kryesore ishte disponueshmëria dhe përdorimi i gjerë i vaksinës së sigurtë.

Posterat paralajmërojnë për epideminë e fruthit në Brooklyn, Nju Jork, 25 prill 2019.
Posterat paralajmërojnë për epideminë e fruthit në Brooklyn, Nju Jork, 25 prill 2019.

Luftimi i propagandës kundër vaksinave

CDC-ja, Organizata Botërore e Shëndetit, si dhe ekspertë të tjerë janë duke luftuar propagandën e prindërve dhe aktivistëve anti-vaksinë që refuzojnë të imunizojnë fëmijët e tyre, duke këmbëngulur se vaksina është e rrezikshme.

"Sërish dëshiroj të siguroj prindërit se vaksinat janë të sigurta. Ato nuk shkaktojnë autizëm. Rreziku më i madh është sëmundja që vaksina parandalon. Fruthi është i parandalueshëm dhe mënyra për ta ndalur këtë epidemi është duke u siguruar që të vaksinohen të gjithë fëmijët dhe të rriturit që e kanë këtë mundësi", thotë drejtori i CDC-së, Robert Redfield.

4 milionë raste, përpara epokës së vaksinës

Përpara vitit 1963, kur u gjykua e perfeksionuar vaksina e fruthit, CDC-ja thotë se rreth 4 milionë amerikanë infektoheshin çdo vit nga fruthi. Deri në 500 prej tyre humbnin jetën.

Virusi i fruthit është tepër ngjitës dhe përhapet kryesisht nëpërmjet kollës dhe tështimave.

Krahas refuzimit të disa prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre, CDC-ja thotë se epidemia e tanishme ka të bëjë edhe me udhëtarë që dyshohet se e kanë sjellë virusin nga vendet ku ka epidemira të mëdha, si Izraeli, Filipinet dhe Ukraina.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG