Lidhje

SHBA, Rosenstein dhe mundësia e shkarkimit të tij


Shtëpia e Bardhë tha se Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein do të takohet me Presidentin Donald Trump të enjten, pas njoftimeve të shumta, shpesh kontradiktore, dje nga media amerikane të ccilat vinin në dukje se ai do të pushohej nga puna ose do të jepte dorëheqjen.

Zhvillimet pasojnë lajmin e para disa ditëve të gazetës New York Times se vitin e kaluar zoti Rosenstein kishte sugjeruar të

regjistronte fshehurazi presidentin Trump dhe se kishte hedhur idenë e përdorimit të Amendamentit të 25 për shkarkimin e Presidentit si të paaftë për të qeverisur. Amendamenti i 25-të përcakton procesin me të cilin zëvendëspresidenti dhe shumica e kabinetit mund të shkarkojë presidentin nga detyra, nëse ai ose ajo, nuk është në gjendje të kryejë detyrat zyrtare.

Zoti Rosenstein e mohoi njoftimin e gazetës javën e kaluar.

Presidenti Trump u pyet për këtë çështje të hënën nga gazetarët në Nju Jork, ku ndodhet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Kam folur me Rod-in (Rosenstein) sot dhe ne do të kemi një takim të ejten kur të kthehem në Shtëpinë e Bardhë”.

Ligjvënësit republikanë Matt Gaetz dhe Mark Meadows kanë paralajmëruar se mund të kërkojnë shkarkimin e zotit Rosenstein nga

detyra nëse ai refuzon të dëshmojë në Kongres rreth njoftimit të gazetës New York Times se ai ka diskutuar regjistrimin fshehurazi të Presidentit Trump.

Matt Gaetz, ligjvënës republikan nga Florida (marrë nga Fox Bussiness)

“Është e papërshtatshme për Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm amerikan që të bëjë shaka rreth regjistrimit fshehurazi të Presidentit”, tha ligjvënësi republikan nga Florida, Matt Gaetz.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm mbikqyr hetimin e Prokurorit të Posaçëm lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës. Nëse ai shkarkohet, ose jep dorëheqjen, kjo do të kishte ndikim për çështjen se kush do ta mbikqyrte hetimin për Rusinë.

Gjatë një seance dëgjimore në Kongres vitin e kaluar, Rosenstein u pyet rreth mundësisë së shkarkimit.

Një burim, i cili ishte në dhomë kur zoti Rosenstein bëri komentin për regjistrimin e presidentit, tha në një deklaratë për Zërin e Amerikës se komentet ishin bërë në formë shakaje. Burimi tha se "nuk u diskutua asnjëherë për ndonjë synim për të regjistruar ndonjë bisedë me presidentin".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG