Lidhje

Të enjten seanca dëgjimore për rusen e akuzuar për spiunazh


Një shtetase ruse e dyshuar si spiune dhe që akuzohet nga Shtetet e Bashkuara për depërtim në qarqet e Partisë Republikane me qëllimin për t’i siguruar Moskës informacion, pritet të pranojë fajësinë në një seancë dëgjimore e caktuar të mbahet të enjten.

Veprat penale për të cilat 30 vjeçarja Maria Butina pritet të pranojë fajësinë nuk janë bërë ende publike. Ajo mbahet nën arrest prej muajit korrik.

Maria Butina është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzat se ka vepruar në mënyrë të paligjshme si një agjente e paregjistruar në shërbim të qeverisë ruse, duke përdorur një grup rus të cilin e quante “E drejta për të mbajtur armë” me qëllimin për të ndërtuar lidhje me lobin më të fuqishëm amerikan të armëve, Shoqatën Kombëtare të Armëve.

Rasti i Maria Butinës është i ndarë nga hetimi që kryen Prokurori i Posaçëm i Robert Mueller. Prej 19-muajsh tashmë ai po heton lidhur me dyshimet nëse zyrtarë të fushatës zgjedhore në vitit 2016 të Presidentit Donald Trump bashkëpunuan në mënyrë të fshehtë me Rusinë me qëllimin për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet. Zoti Mueller po heton gjithashtu dhe mbi dyshimet nëse zoti Trump në detyrën e presidentit është përpjekur të pengojë drejtësinë, duke u përpjekur të pengojë hetimin për Rusinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG