Lidhje

SHBA, sanksione të reja ndaj Venezuelës dhe Nikaraguas


Administrata Trump po i hap rrugën ngritjes së padive kundër individëve apo kompanive të huaja të cilat përdorin prona që qeveria e ish-udhëheqësit kuban Fidel Castro u ka konfiskuar amerikanëve dekada më parë.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo njoftoi të mërkurën se administrata do të fillojë zbatimin e dispozitës së një ligji të vitit 1996 që deri tani nuk zbatohej.

Vendimi ka gjasa të pengojë përpjekjet e Kubës për të inkurajuar investimet e huaja. Ky hap është pjesë e fushatës më të gjerë të Presidentit Trump për të goditur vendet socialiste të Amerikës Latine, Venezuelën dhe Nikaraguan, si dhe për të rrëzuar presidentin venezuelian, Nicolas Maduro, qëndrimi i të cilit në pushtet varet kryesisht nga mbështetja që atij i jep Kuba, së bashku me Rusinë dhe Kinën.

Duke bërë njoftimin për gazetarët në Uashington, zoti Pompeo tha se Kuba ka dëmtuar sigurinë dhe stabilitetin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të hemisferës perëndimore. "Regjimi kuban prej vitesh ka eksportuar taktikat e tij të frikësimit, shtypjes dhe dhunës", tha zoti Pompeo. "Ata e kanë eksportuar këtë në Venezuelë në mbështetje të drejtpërdrejtë të ish-regjimit Maduro. Shërbimet e inteligjencës dhe shërbimet e sigurimit kuban sot mbajnë Maduron në pushtet", tha ai.

Po të mërkurën, këshilltari i SHBA për sigurinë kombëtare John Bolton njoftoi një kufi të ri për sasinë e parave që familjet në SHBA mund t’u dërgojnë të afërmve në Kubë, me shpresën se kjo dhe masat e tjera do të ndikojnë negativisht tek qeveria e Maduros.

"Për vite me radhë, regjimi kuban ka mbytur pavarësinë e Venezuelës dhe ka kontribuar drejtpërdrejtë në krizën aktuale për të fituar dhe mbijetuar vetë,” tha zoti Pompeo në një fjalim në Florida për të përkujtuar përvjetorin e ndërhyrjes së dështuar amerikane në Gjirin e Derrave të Kubës në vitin 1961. "Në këtë moment, Havana vazhdon të mbështesë Maduron dhe ta ndihmojë atë të zgjasë vuajtjet brutale të popullit venezuelian", tha ai.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të mbrojë interesat e kompanive dhe individëve evropianë që kryejnë biznes në Kubë, të cilët mund të preken nga ndonjë padi. Spanja, e cila ka investime të mëdha në Kubë, i ka kërkuar BE-së të sfidojë vendimin e SHBA, tha një zyrtar i lartë i qeverisë.

Ndërkaq, një embargo ekonomike prej gjashtë dekadash e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës mbetet në fuqi.

Gjatë administratës së Presidentit Obama, Uashingtoni ndërmori disa nisma për të qetësuar ujërat e trazuara në hapësirën prej 150 kilometrash që ndan Floridën dhe Kubën, por administrata Trump i është kthyer qasjes së Luftës së Ftohtë në politikat ndaj Havanës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG