Lidhje

SHBA, Programe për të përgatitur shkollat në rast sulmesh


Dhuna me armë është një realitet i jetës amerikane, dhe në të gjithë vendin, më shumë se 12 vetë u qëlluan për vdekje në ditën e parë të vitit 2018. Të shtënat ndodhin kudo - në shtëpi, qendra tregtare, në rrugë dhe në shkolla. Në vitin 2017, në Shtetet e Bashkuara pati 9 incidente me armë zjarri në shkolla, që lanë 15 të vdekur dhe 18 të tjerë të plagosur. Tani, një program i ri simulimi synon të ndihmojë për sigurinë e mësuesve dhe nxënësve në rast të një sulmi të mundshëm.

"Siç e shihni këtu, Tabitha po zgjedh personazhe të ndryshëm, pasi kemi tipa të ndryshëm. Të dyshuarit mund të vijnë me armë. Mund të jenë të rritur ose fëmijë", thotë Bob Walker, menaxher i projektit Edge.

Është si miliona video-lojra të tjera që keni parë, por kjo nuk është lojë. Programi është hartuar për të simuluar atë që mund të ndodh kur një person i armatosur hyn në shkollë.

"I dyshuari hyn dhe shkakton kaos. Programi tregon sesi mësuesi mund të përgjigjet ndaj një situate të tillë duke ndërmarrë veprime të ndryshme me nxënësit, duke i rreshtuar së pari pas murit."

Është një skenë e rëndë për t’u parë, por programuesit thonë se kjo lojë simuluese mund të shpëtojë jetë njerëzish.

"Shumë nga këto simulime u lejojnë mësuesve të testojnë gjëra që janë provuar. Për shembull, në incidentin me armë zjarri në universitetin Virginia Tech, u mësua se mbyllja e dyerve funksionoi shumë mirë. Kjo u jep shkollave të zonës mundësinë të provojnë skenarë të ndryshëm për të parë se çfarë funksionon më mirë në mjediset e tyre", thotë Bob Walker.

Synimi është t’u jepet mësuesve, administratorëve dhe ndoshta edhe policisë, mundësia për të parë virtualisht se çfarë mund të ndodhë në rastin e një incidenti me armë zjarri në kampus.

"Përvoja të jep shanse më të mëdha për të mbijetuar. Sa më shumë përvojë të kesh, aq më të larta janë shanset për të mbijetuar. Pra ky simulim të jep rastin të praktikohesh dhe të krijosh përvojë duke ditur çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon", thotë Tamara Griffith me laboratorin kërkimor të ushtrisë.

Programimi i simuluesit ishte i vështirë për të gjithë personat e përfshirë.

"U ulëm dhe dëgjuam regjistrimet e telefonatave të policisë për ngjarje të ndryshme dhe është shumë tronditëse kur mendon se çfarë ka qënë duke ndodhur në atë moment gjatë regjistrimit të këtyre telefonatave. Po mundohemi të përgatisim më mirë forcat e rendit dhe të gjithë njerëzit që duhet të përballen me situata të tilla", thotë Tamara Griffith.

Sulmuesit, fëmijët dhe administratori në lojën e simuluar, operojnë me inteligjencë artificiale që i lejon programuesit të testojnë strategji të ndryshme të sigurisë për të parë sesi funksionojnë ato.

Simulimi është i pakëndshëm dhe tronditës, por programuesit thonë se po bëjnë më të mirën e mundshme për t’i përgatitur mësuesit për rastin më të keq.

"Mund të parandalojmë shumë vdekje, mund t’i përgatisim më mirë njerëzit, mund t’i bëjmë mjediset më të sigurta në se e çojmë këtë projekt tek njerëzit e duhur", thotë Tamara Griffith.

Programi përdoret tashmë nga ekipet e përgjigjes së shpejtë, por Laboratori Kërkimor i Ushtrisë ka në plan ta bëjë versionin për shkollat të gatshëm shumë shpejt dhe pa pagesë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG