Lidhje

SHBA, shtyhet dënimi për ish gjeneralin Flynn


Në SHBA, gjykata e shtyu dhënien e dënimit për ish këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili pranoi fajësinë se kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimeve për kontaktet e tij me Rusinë.

Gjyqtari Emmet Sullivan tha se do të priste për informacione shtesë nga të dyja palët deri në muajin mars para se të shpallte dënimin. Zoti Flynn doli nga gjykata nën britmat e protetsuesve.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller ka thënë se dënimi për zotin Flynn nuk duhet të përfshijë burgimin, duke marrë parasysh bashkëpunimin e personit në fjalë me prokurorët.

Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter: "I uroj fat sot në gjykatë Gjeneralit Flynn. Do të ishte interesante të shohim se çfarë ka për të thënë, megjithë presionin e jashtëzakonshëm që po i bëhet lidhur me Bashkëpunimin me Rusinë në fushatën tonë të shkëlqyer dhe natyrisht mjaft të suksesshme politike. Nuk ka patur Bashkëpunim të Fshehtë".

Zoti Mueller po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe një marrëveshjeje të mundshme të fshehtë midis Rusisë dhe fushatës së Presidentit Donald Trump.

Flynn, ish gjeneral dhe ish kreu i Agjencisë së Zbulimit për Mbrojtjen ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Trump. Por ai dha dorëheqjen pas një muaji kur u mësua se kishte gënjyer zyrtarët e administratës për bisedimet e tij me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington, Sergej Kislyak, gjatë periudhës midis ditës së zgjedhjeve dhe inaugurimit të presidentit Trump.

Flynn kishte tërhequr vemendjen e hetuesve para se ai të gënjente FBI-në në janar 2017. Në vitin 2016, kur ishte këshilltar i fushatës së zotit Trump, ai loboi për një kompani holandeze të lidhur me qeverinë turke, pa u regjistruar si agjent i huaj.

Michael Flynn filloi bashkëpunimin me prokurorin e posaçëm Mueller pasi u deklarua fajtor se kishte gënjyer agjentët federalë për bisedat e tij me ambasadorin rus Kislyak. Ai u bë i pari ndër pesë ish-bashkëpunëtorët e zotit Trump që kanë pranuar fajësinë në hetimin e zyrës së prokurorit Mueller.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG