Lidhje

SHBA, studentët e huaj në vështirësi lidhur me vaksinimin


Një studente në Kaliforni duke marrë vaksinën e kompanisë Pfizer
Një studente në Kaliforni duke marrë vaksinën e kompanisë Pfizer

Një numër studentësh ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara po përpiqen të marrin dy dozat e vaksinës kundër COVID-19 para se të kthehen në shkollë këtë vjeshtë. Por ata po ndeshen me vështirësi të ndryshme për të plotësuar detyrimin e shumë universiteteve amerikane për të qenë plotësisht të vaksinuar para fillimit të vitit shkollor.

Ndërsa rastet me COVID-19 po rriten përsëri, studentët ndërkombëtarë që po kthehen në Shtetet e Bashkuara po hasin në vështirësi për të plotësuar kushtin e vaksinimit.

SHBA, studentët e huaj në vështirësi lidhur me vaksinimin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Jenny Zhang erdhi nga Kina për të studiuar në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Ajo ka marrë vaksinën Sinopharm në pranverë në Pekin. Kjo vaksinë është miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe universiteti i saj, por pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara ajo po shqyrton mundësinë e marrjes së dozës përforcuese të vaksinave Pfizer ose Moderna.

"Isha pak e shqetësuar për vaksinimin sepse kam dëgjuar se vaksina Sinopharm mund të mos jetë aq efektive, veçanërisht kundër variantit delta", thotë ajo.

Para se të kthehej në Shtetet e Bashkuara në maj, Zhang kaloi dy javë në karantinë në Dubai.

Ashtu si Kina, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime për udhëtarët që hyjnë në vend.

Unë thjesht qëndrova në hotel për dy javë. Nuk më pëlqeu”, thotë studentja kineze.

Younha Han, një studente nga Koreja e Jugut, u kthye në Shtetet e Bashkuara më herët për t'u vaksinuar dhe për të qëndruar me tezen e saj në Virxhinia. Rastet me COVID-19 janë në rritje në Korenë e Jugut dhe vetëm 20 përqind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar.

Han ndjek studimet në Institutit Pratt në Nju Jork, ku studentët duhet të jenë të vaksinuar ose në vetëizolim për dy javë pas mbërritjes në SHBA. Vaksinat do të jenë në dispozicion për studentët pas kthimit të tyre në shkollë.

"Nëse ata po u kërkojnë studentëve vetëizolim dyjavor, mendoj se ata të paktën duhet t'u sigurojnë atyre një hapësirë për ta bërë këtë. Shumë studentë ndërkombëtarë nuk kanë ku të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë studentja Younha Han.

Studentja e Universitetit Syracuse, Jessica Tran nuk ishte në gjendje të vaksinohej në vendin e saj, Vietnam, ku imunizimi me ritëm më të lartë nuk filloi deri në korrik.

"Vietnami ka marrë vaksina nga Britania, Kina dhe Japonia. Për fat të keq, ato nuk janë duke u përdorur aktualisht në Shtetet e Bashkuara", thotë ajo.

Ashtu si shumë kolegje dhe universitete amerikane, Universiteti Syracuse thotë se po shqyrton në mënyrë individuale çështjet e studentëve ndërkombëtarë.

"Vaksinat janë të disponueshme në Universitetin Syracuse, dhe ne nuk parashikojmë që studentët ndërkombëtarë të ndeshen me ndonjë vështirësi në marrjen e vaksinës pasi të mbërrijnë këtu. Studentët që vaksinohen pas mbërritjes në shkollë duhet të mbajnë maskën dhe t’u nënshtrohen testimeve të përjavshme për COVID-19 deri dy javë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës”, thuhet në një njoftim të Universitetit Syracuse.

"Nuk do të shkoj në qytet aq shpesh, por pasi të kthehem në shkollë, kur të gjithë do të jenë të vaksinuar, unë do të ndihem shumë më rehat", thotë studentja Jenny Zhang.

Shumica e studentëve në Shtetet e Bashkuara do të kthehen në universitete deri në mes të shtatorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG