Lidhje

SHBA: Tornadot shkaktojnë viktima


Një stuhi e fuqishme po lëviz në brendësi dhe në jug të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar tornado, që kanë vrarë të paktën 16 njerëz. Metereologët thonë se stuhia mund të vazhdojë edhe sot, ndërsa po lëviz në drejtim të lindjes së vendit.

Zonat që u goditën më rëndë nga stuhia ishin lagjet perferike në Little Rock, të Arkansasit. Zyrtarët në këtë shtet jugor thonë se tornadoja atje vrau 15 persona.

Një tjetër person vdiq dje në mëngjes, pasi tornado goditi shtetin e Oklahomës.

Erërat e fuqishme të tornados, po ashtu shkatërruan dhjetra shtëpi, rrëzuan pemë dhe përmbysën makina.

Presidenti Barack Obama shprehu sot ngushëllime për viktimat, ndërsa është duke vizituar Filipinet. Ai tha se qeveria do t’u vijë në ndihmë personave të prekur të rikuperohen, si dhe për rindërtimin e objekteve të shkatërruara.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për mundësinë e stuhive të tjera të fuqishme. Tornadot pritet të godasin sot shtetet e Luizianës, Alabamës, Misisipit dhe Tenesis.
XS
SM
MD
LG