Lidhje

Të rinjtë myslimanë në SHBA


Të rinjtë myslimanë në Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar rreth përhapjes së retorikës anti-myslimane dhe thirrjeve për ndaluar hyrjen e myslimanëve të tjerë në Amerikë. Në një diskutim të organizuar nga Zëri i Amerikës të martën në Uashington, katër të rinj myslimanë folën për sfidat me të cilat përballen në këtë vend.

Sipas llogaritjeve, rreth 3.3 milion myslimanë jetojnë në Shtetet e Bashkuara ose 1 përqind e popullsisë. Kjo shifër pritet të dyfishohet në 30 vitet e ardhëshme dhe aty nga viti 2040, myslimanët priten të bëhen grupi i dytë më i madh fetar në Shtetet e Bashkuara.

Të rinjtë myslimanë theksojnë se nuk janë grup homogjen. Oya Rose Aktas nga St. Louis, thotë se nëna e saj është e krishterë amerikane dhe i ati mysliman turk.

“Shpesh, njerëzit përpiqen të ndajnë myslimanët në konservatorë dhe të moderuar, por në fakt ka më tepër shumëllojshmëri se kaq. Mendoj se kjo është një nga nuancat që humbet në debate rreth fesë islame në Shtetet e Bashkuara.”

Shpesh, të rinjtë myslimanë kanë më shumë se një identitet. Mohamed Hussein punon për Fondacionin e të Rinjve Amerikano-Somalezë në shtetin Virxhinia.

“Padyshim është një luftë, jo vetëm të qënit mysliman, jo vetëm të qënit mysliman amerikan, të qënit somalez, të qënit i zi apo i ri...ka shumë identitete me të cilat duhet të pajtohesh. Nuk është e lehtë por fatmirësisht kështu kam lindur dhe ka qënë një proces jetësor për mua. Nëse emigron, si prindërit e mi përshembull, duhet të përshtatesh dhe të mësosh të ndryshosh nga të qënurit shumicë në të qënurit pakicë.”

Disa nga ata që folën u ankuan se krimet nga myslimanët zënë hapësira më të mëdha në media. Morsal Mohamad nga Universiteti George Washington:

“Kur një mysliman bën diçka, kjo pasqyrohet kudo nëpër media dhe vëmendja është e lartë. Por nëse një perëndimor bën të njëjtën gjë, nuk mendoj se ka të njëjtin ndikim.”

Othamn Altaib i lindur në Irak thotë se raporti i krimeve nga myslimanët amerikanë është i vogël krahasuar me grupet e tjera. Ai thotë se të rinjtë kanë më shumë shanse të radikalizohen nëse shpenzojnë shumicën e kohës të vetëm para kompjuterit.

“Mendoj se mesazhi për ne duhet të jetë.. të bashkojmë rininë nëpër xhami nëpër takime të myslimanëve dhe organizata që të njihen me njerëz të tjerë.”

Brezi i ri i myslimanëve amerikanë po ashtu është e irrituar nga debati i gjerë për radikalizimin islamik dhe kërkon përqëndim më të madh tek nxitja e të rinjve për të shprehur shpresat dhe planet e tyre për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG