Lidhje

SHBA, vaksina për vendet e tjera?


Joe Biden
Joe Biden

Presidenti Joe Biden thotë se që kur mori detyrën, janë administruar 200 milionë doza vaksinë kundër koronavirusit dhe se po shikon mundësinë e dërgimit të sasive të tepërta jashtë vendit.

Administrata e tij është nën presion për të përmirësuar barazinë e vaksinimeve në shkallë globale dhe për të mbështetur fushatën që u kërkon firmave farmaceutike të heqin dorë nga patentat e vaksinave.

SHBA dhe vaksinat për botën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00


Në Shtetet e Bashkuara janë administruar rreth 214 milionë doza vaksinash, duke përfshirë 200 milionë që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën. Ai synon që kjo shifër të rritet më tej, duke njoftuar një stimul tatimor për bizneset që u japin leje me pagesë punonjësve për t’u vaksinuar.

Në frontin global, Presidenti Biden tha se po përpiqet të bëjë më shumë.

“Ne po studiojmë se çfarë do të bëhet me sasitë e vaksinave që nuk po i përdorim. Duhet të garantojmë që ato të jenë të sigurta para se të dërgohen. Shpresojmë të jemi në gjendje të ndihmojmë vendet e tjera", tha Presidenti Biden.

Javën e kaluar, 10 senatorë demokratë i kërkuan Presidentit Biden të mbështeste heqjen e përkohshme të rregullit të ashtuquajtur TRIPS, që lidhet me të drejtat e pronësisë intelektuale në tregti, propozuar nga India dhe Afrika e Jugut në Organizatën Botërore të Tregtisë tetorin e kaluar. Më shumë se 80 anëtarë të kësaj organizate mbështesin heqjen dorë nga patentat, çka do të lejonte vendet e ndryshme të prodhonin versione të vaksinës.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë përgjigje.

"Sigurisht që po shikojmë një sërë alternativash për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë globale, por nuk kam gjë tjetër për të thënë,” tha Jen Psaki, sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Administrata Biden është nën presionin e kompanive farmaceutike që thonë se mbrojtja e patentave është çelësi për të luftuar variantet e reja dhe për të rritur prodhimin që do të plotësonte nevojat globale.

Por në kushtet e diplomacisë agresive kineze dhe ruse për vaksinat, administrata Biden mund të përballet me një kosto gjeopolitike nëse nuk heq dorë nga patentat.

"Tani për tani, Shtetet e Bashkuara po shihen nga vendet e tjera si grumbullues vaksinash, duke blerë të gjitha dozat që janë në dispozicion dhe duke mos e ndarë teknologjinë për t'u dhënë mundësi vendeve të tjera t’i prodhojnë ato vetë. Në fakt, vendet me të ardhura të mesme nuk kërkojnë që t’u jepen vaksina. Ato kërkojnë njohuri teknike, që t’i prodhojnë vetë. Dhe kur SHBA thonë jo, kjo tingëllon si kopraci e tepruar," thotë Matthew Kavanagh, i Universitetit Georgetown.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë deri tani 4 miliardë dollarë përmes programit COVAX të OKB-së për vaksinat si dhe kanë ndërmarrë një nismë me Indinë, Australinë dhe Japoninë, për të shtuar vaksinat që u jepen vendeve të Azisë Juglindore.

Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në shpërndarjen globale të vaksinave ka një "mungesë tronditëse ekuilibri”.

"Mesatarisht, në vendet me të ardhura të larta, pothuajse një në katër persona ka marrë një vaksinë. Në vendet me të ardhura të ulëta, raporti është një në më shumë se 500. Pra: një në katër kundrejt një në 500", thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH.

Ndërsa infeksionet vazhdojnë në të gjithë botën, të dhënat globale tregojnë se janë administruar vetëm 930 milion doza vaksinash, ose rreth 12 për çdo 100 njerëz.

Thirrje për ndihmë

Shtetet e Bashkuara e të tjera vende të pasura janë përballur me kritika ndërkombëtare për blerjen e pjesës më të madhe të sasisë globale të vaksinave kundër COVID-19.

Megjithatë edhe shumë vende të zhvilluara po përjetojnë mungesa dhe i janë lutur Uashingtonit për ndihmë.

Koreja e Jugut beson se duhet të jetë ndër të parat vende që duhet të marrë ndihmë nga aleati i saj i vjetër.

"Ne u kemi theksuar Shteteve të Bashkuara se "një mik që të vjen në ndihmë kur ke nevojë është një mik i vërtetë", u tha gazetarëve të mërkurën Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut Chung Eui-yong.

Zoti Chung vuri në dukje se gjatë fazës së hershme të pandemisë "nën frymën e aleancës së veçantë mes dy vendeve", Seuli dërgoi në Shtetet e Bashkuara një numër të madh testesh për koronavirus e maska, megjithë sasitë e kufizuara në vend.

"Ato vende që aktualisht po vaksinojnë të rinjtë, apo personat e shëndetshëm me rrezik të ulët për t'u sëmurur po e bëjnë këtë në kurriz të jetës së punonjësve të shëndetësisë, njerëzve të moshuar dhe grupeve të tjera në rrezik në vendet e tjera", tha muajin e kaluar Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai fajësoi vendet e pasura për vdekjet e atyre njerëzve me rrezik të lartë ndaj virusit, në vendet me të ardhura të ulëta e të mesme.

Shtetet e Bashkuara kanë mbrojtur qëndrimin e tyre për t'u kujdesur më parë për popullatën në vend, duke theksuar gjithashtu numrin e vdekjeve si pasojë e COVID-19-s, i cili është më i larti krahasuar me çdo vend tjetër në botë.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, në Shtetet e Bashkuara prej fillimit të pandemisë deri më tani, kanë vdekur nga koronavirusi më shumë se 568,000 persona, dhe janë infektuar më shumë se 31 milionë amerikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG